18 Shkurt 2019

Logoja e 11 vjetorit të Pavarësisë është diskriminuese ndaj grave

Prishtinë, 11 shkurt - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) janë tejet të indinjuara me lansimin që i’u bë rishtazi logos së 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku në plan të parë paraqitet vetëm silueta e një burri. Ne i’u bashkangjitemi opinioneve të përfaqësuesve të shoqërisë civile, dhe bashkëndajmë mendimin se logoja aktuale është diskriminuese dhe e papranueshme, meqenëse nuk njeh kontributin e grave në shtet-ndërtim.

Vetë fushëveprimi i Ligjit për Barazi Gjinore, përkatësisht neni 2, specifikon se ndalesa e diskriminimit në bazë të gjinisë dhe seksit dhe obligimet për promovimin e barazisë së meshkujve dhe femrave në këtë ligj, përfshijnë barazinë dhe mos diskriminimin mbi karakteristikën e mbrojtur të identitetit gjinor. Rrjedhimisht, silueta aktuale në logo mohon promovimin e kontributit të barabartë gjinor, e specifikisht kontributin e madh të grave në shoqërinë kosovare.

Tutje, RrGK dhe Lobi nuk pajtohen me deklaratën e dhënë nga përfaqësuesi i protokollit të shtetit, z. Orhan Hajrizi, sipas të cilit logoja është dizajnuar në mënyrë që të konsiderohet si dedikim drejt formimit të Ushtrisë së Kosovës. Jemi të bindura që puna dhe përfaqesimi i identitetit tonë shtetëror është promovuar shumë herë në këto vite nga gratë kosovare, e madje arritjet e tyre janë brohoritur nga vetë zyrtarët shtetërorë.

Prandaj, këto merita duhet të konsiderohen si të barabarta për nga niveli i rëndësisë dhe ri-theksojmë se njohja e kontributit të grave në ndërtimin e imazhit shtetëror duhet të reflektohet edhe në logon e 11 vjetorit të pavarësisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 shkurt 2019 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit me amendamente në Projektligjin për Hetim Parlamentar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje organizon tryezën profesionale për tekstet shkollore dhe kurrikulën. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C-405, ora 12:00)

- Bëhet përurimi i libri “Liri për Sadri Ramabajën” i përgatitur për botim nga Sherif Konjufca, kurse është botuar nga Shoqëria Lëvizja. (Bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani”, ora 12:00)

- Partia Socialdemokrate organizon tryezë lidhur me pagën minimale, me titullin “Pagë me jetu!”. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të organizojë mbledhje komemorative pas ndarjes nga jeta të akademik Idriz Ajetit, i cili shërbeu edhe si rektor i Universitetit të Prishtinës. (Salla e Senatit në Rektorat, ora 14:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës e fillon Programin e saj Artistik për vitin 2019 me ekspozitën “Origjinaliteti”, të autorit Visar Mulliqi. (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)