29 Mars 2024

Limaj dorëzon imunitetin, do përballet me drejtësinë

Prishtinë, 17 mars - Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, ka vendosur të heqë dorë nga imuniteti i të qenit deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të mos pengohen, siç tha ai, hetimet e filluara ndaj tij nga ana e EULEX-it.

Gjatë një konference për shtyp, Limaj tha se beson në pastërtinë e luftës që ka bërë, luftës së UÇK-së, ndaj është i gatshëm të ballafaqohet me drejtësinë.

Ish-ministri i Transportit, Limaj, tha se ka qenë të mërkurën në takim me zyrtarë të EULEX-it, por as ai e as mbrojtja e tij nuk kanë ndonjë dokument zyrtarë që dëshmon se ndaj tij është ngritur aktpadi.

Ai tha se beson në pastërtinë e luftës që ka bërë, në pastërtinë e luftës së UÇK-së, ashtu sikurse beson se do të dalë i pastër edhe nga hetimet tjera që Misioni Evropian ka ngritur ndaj tij si i dyshuar për korrupsion.

Gjatë luftës, Limaj ka drejtuar Brigadën “Kumanova”. Nën dyshimet për krime lufte, ai ishte arrestuar vite më parë nga autoritetet e Tribunalit të Hagës, por ishte liruar si i pafajshëm.

EULEX-i përmes një komunikate për media konfirmoi se nëntë persona janë arrestuar më 16 mars në kuadër të një hetimi lidhur me krime të luftës.

"Ndaj pesë personave është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, dy persona janë nën arrest shtëpiak, ndërsa i teti është urdhëruar që të paraqitet në polici tre herë në javë. Personi i nëntë është arrestuar në Zvicër".

Komunikata thotë se "akuzat ndaj tyre kanë të bëjnë me vrasje, torturë dhe cënim të shëndetit e integritetit fizik të shqiptarëve nga Kosova, civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës në Kleçkë në vitin 1999".

EULEX-i gjithashtu mund të konfirmojë se është lëshuar fletëarrest edhe për deputetin Fatmir Limajn lidhur me të ashtuquajturin rastin e Kleçkës. Çështja e imunitetit të tij është duke u sqaruar.

"Të gjithë janë të pafajshëm deri sa nuk provohet fajësia. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Por, është detyrë dhe obligim i prokurorëve të pavarur që të nisin hetime kur janë bërë akuza serioze", thuhet në njoftim.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)