24 Shtator 2020

Kuvendi të premten mblidhet në seancë plenare

Prishtinë, 4 gusht - Të premten, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vazhdojë punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, përkatësisht votimin e propozim-rezolutave dhe rekomandimeve, ndërsa në orën 11:00, do të mblidhet në seancë të re.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike (virtuale), nën drejtimin e kryetares dr. Vjosa Osmani dhe pjesëmarrje të kryetarëve të grupeve parlamentare.

Seanca e re do të fillojë me pikat e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, ndërsa më pas pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Seanca do të vazhdojë me zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës, zgjedhjen e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe shqyrtimin e Propozim-Vendimit për caktimin e pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë edhe kërkesën e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë për miratimin e Buxhetit të këtij komisioni, si dhe atë të GP të Vetëvendosjes për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete, i hartuar nga GP i Vetëvendosjes, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.​


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Komunën e Ferizajt. (Objekti i Komunës Ferizaj, ora 9:30)

- Në kuadër të Javës së sporti, Federata e Pingpongut në bashkëpunim me Departamentin e sportit të MKRS do të organizoj një aktivitet promovues për pingpongun në Pejë. (Sheshi Dukagjini në Pejë, ora 10:00)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Mural Fest. (Muralet e qytetit në Ferizaj, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit fillon projektin e Drejtorisë së Shëndetësisë për Kujdesin Geriatrik me ç'rast kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj do të prononcohen për media. (Nisja do të bëhet nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të shqyrtohet plani i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në ndarjen e certifikatave për të rinj të trajnuar për ndërmarrësi. (Qendra e Inovacionit në Ferizaj, ora 11:00)

- Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi mbajnë konferencën për media. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:30)

-  Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)
 
 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në aktivitet me misionin e OSBE-së. (Muzeu i Kosovës, ora 14:00)