22 Maj 2018

Kuvendi mblidhet sot në seancë të re plenare

Prishtinë, 17 maj - Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të mblidhet sot në një seancë të re plenare në të cilën do të shqyrtojë një varg projektligjesh dhe pritet të debatojë për tema të ndryshme me interes publik. 

Në seancën e sotme, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë vendimin e Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare.

Në vazhdim, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë katër projektligje: Projektligjin për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në vlerën e shtuar.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën dhe ai për mbrojtjen e konsumatorit.

Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2018-2022, shqyrtimin e Strategjisë shtetërore të ujërave në Kosovë 2017-2036, shqyrtimin e Planit të veprimit për biodiversitetin 2016-2020, si dhe të tri raporteve: raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2017, raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2017 dhe raportit vjetor të Agjencisë për ndihmë juridike falas për vitin 2017.

Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë propozimin e Grupit Parlamentar të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare dhe të zgjedhë dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Në këtë mbledhje, deputetët do të shqyrtojnë edhe dy propozim rezoluta: propozim-rezolutën për heqjen e Romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë dhe atë për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë.

Në vazhdim të kësaj seance, Kuvendi pritet t’u kthehet debateve. Deputetët do të debatojnë në lidhje me të drejtat e punëtorëve dhe adresimin e papunësisë në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së GP të LVV, në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për unifikimin e pikave doganore ndërmjet tyre, sipas kërkesës së GP të PSD-së, në lidhje me kartonin e gjelbër, sipas kërkesës së GP të PSD-së, si dhe për gjendjen jo të mirë të rinisë kosovare, sipas kërkesës së deputetit Fidan Rekaliu, mbështetur edhe nga pesë deputetë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Maj 2018 - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë komunën e Kaçanikut, ku do të takohet me kryetarin e Komunës, Besim Ilazi. (Zyra e kryetarit Ilazi, ora 9:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Jusuf Gërvalla” në Biqec. (Objekti i shkollës në Biqec, ora 9:45)

- Instituti për Politika Zhvillimore organizon tryezën ”Sistemi Pensional në Kosovë: sfidat dhe mundësitë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe biznesi” Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me përfaqësues nga KIESA dhe Oda Ekonomike Amerikane, do të takojnë bizneset nga rajoni i Mitrovicës. (Hotel Palace në Mitrovicë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilen do të behët shqyrtimi i raportit të Auditimit për PVF-të e Autoritetit të Aviacionit Civil, shqyrtimi i raportit të Auditimit për PVF-të e Organit Shqyrtues të Prokurimit, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi, Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, nesër, më 22 maj 2018, viziton Burgun e Dubravës, me rastin e shënimit të përvjetorit të masakrës së vitit 1999. (Dubravë​, ora 10:15)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë shkollën e mesme “Feriz Guri dhe Vëllezërit Qaka”. (Objekti i shkollës, ora 10:30)

- Oda Ekonomike e Kosovës publikon studimin “Bottleneck” me qëllim identifikimin e barrierave që pengojnë të bërit biznes në vendin tonë. (Oda Ekonomike e Kosovës, ora 11:00)

- Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe OJQ George Williams Youth Association in Kosovo me qëllim financimi në projektin “Qendra e edukimit jo-formal për rini” me lokacion në fshatin Pjetërshan në komunën e Gjakovës. (Ministria e Kultures, Rinise dhe Sportit, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilen do të behët shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, shqyrtimi i Projektligjit për Masat Mbrojtëse në Importe, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Me rastin e shënimit të 19-vjetorit të masakrës së Dubravës bëhen homazhe në nderim të burgosurve të vrarë në burgun e Dubravës nga forcat paramilitare serbe. (Dubravë, ora 11:00)

- Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pret në takim futbollistët e FC Drita, të cilët të dielën u shpallën kampion. (Zyra e Kryetarit, objekti i ish-gjykatës, ora 12:00)

- Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në  Kosovë, Qemal Minxhozi viziton komunën e Dragashit, ku do të pritet nga kryetari i komunës, z. Shaban Shabani (Komuna e Dragashit, ora 12:30)

-  Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Skender Reçica dhe Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jetviq raportojn para Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me implementimin e projektit për ndërtimin e shtëpive për komunitetin joshumicë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj do të vizitojë komunën e Vitisë, ku bashkë me kryetarin e komunës do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi për realizimin e një projekti në fushën e mjedisit. (Objekti i komunës së Vitisë, ora 13:00)

- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj bashkë me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova dhe Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, marrin pjesë më inaugurimin e rrugës Krushevë-Shishtavec, e financuar nga BE.. (Krushevë, Komuna Dragashit, ora 15:00)

- Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova së bashku me autoritetet e Kosovës do të përurojnë rrugën e ndërtuar rishtas midis Krushevës dhe Shishtavecit, që lidh Kosovën dhe Shqipërinë, të financuar nga Bashkimi Evropian. (Vendkalimi kufitar mes fshtarave Krushevë dhe Shishtavec Komuna e Dragashit, ora 15:00)

- Drejtori i misionit të USAID-it Xhejms Houp do të flasë me rastin e ceremonisë zyrtare që do të shënojë partneritetin me Cacttus Education. (Cacttus Education, rr. Bashkim Fehmiu. Arberia 3, BC2/11, nr. 4,  ora 16:45)

- Dega e OVL te UÇK-së në Kaçanik në bashkëpunim me SHIL, SHFD, institucionet komunale organizon orë përkujtimore me rastin e 19 të rënies heroike të dëshmorëve: Danush Kurtaj, Mejdi Dalloshi, Tefik Raka, Avdylgafurr Luma dhe Suad Brava, të rënë në Masakrën e Dubravës së Istogut me 22 maj ’99. (Shtëpia e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, ora 17:00)

- Bëhen homazhe me rastin e 19 të rënies heroike të dëshmorëve të rënë në Masakrën e Dubravës së Istogut me 22 maj ’99. (Varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, ora 18:30)