21 Shtator 2020

Kurti u kërkon ambasadorëve të huaj t'i ndihmojnë Kosovës në luftën kundër COVID-19

Prishtinë, 10 gusht - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh lider i opozitës në Kosovë, u ka nisur të hënën një letër të hapur ambasadorëve dhe diplomatëve të huaj që veprojnë në Kosovë, duke iu kërkuar që t’i ndihmojnë institucionet e Kosovës në përballimin e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Sipas Kurtit, situata me këtë virus së fundmi në Kosovë është dramatike, andaj u ka bërë thirrje këtyre mekanizmave që përmes ndihmave të tyre të shmangin atë që e ka parashikuar si “katastrofë humanitare”.

“Tani, në emër të popullit të Kosovës, publikisht ju kërkoj juve dhe vendeve tuaja që t'u siguroni institucioneve të kujdesit shëndetësor të Kosovës pajisjet e nevojshme mjekësore dhe burimet njerëzore për të mundësuar të parandalojmë që një krizë shëndetësore të shndërrohet në një katastrofë humanitare”, ka deklaruar Kurti.

Përgjatë letrës, Kurti ka qenë kritik edhe ndaj qeverisë që aktualisht drejtohet nga Avdullah Hoti duhet thënë se i vjen keq që Kosova nuk ka një qeveri që “vepron me përgjegjësi dhe profesionalizëm, që dëgjon shkencëtarët dhe ekspertët dhe që gëzon besim dhe kredibilitet midis qytetarëve.

“Virusi në vetvete nuk është vepër e qeverisë, por dështimi për të vepruar me përgjegjësi është rezultat i drejtpërdrejtë i paaftësisë së saj, çka vuri në rrezik gjithë vendin”, ka shkruar mes tjerash Kurti.

Qeveria e Albin Kurtit është rrëzuar më 25 mars të këtij viti, përmes një mocioni të mosbesimit të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti me të cilën atëbotë kishte formuar koalicion qeveritar.

Në mesin e arsyeve për mocion, LDK-ja pati përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Shtator 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:30)

- Fillon Shkolla Verore e BE-së në të cilën do të shtjellohet temat për zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë mjedisore dhe shfaqjen e pandemisë globale. (Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të votohet raporti i panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla takohet me Ambasadorin japonez, Mizutani Akira. (Kabineti i ministres Haradinaj Stublla, ora 10:00 - pa prezencen e mediave)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)
 
- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla dhe Ambasadori japonez, Mizutani Akira, nënshkruajnë marrëveshjen për donacionin e radhës të Japonisë për Kosovën. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 10:30)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë shqyrton listen e dëshmitarëve, përzgjedh ekspertët e jashtëm si dhe publikon adresën për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në përurimin e shtatores së Heroit Ahmet Krasniqi, si dhe në inaugurimin e sheshit, i cili do të mbajë emrin e tij. (Sheshi “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, ora 11:00)  

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore për Sallën e Operacionit dhe Sallën e Lindjes për gratë e infektuara me COVID-19, pajisje këto të financuara nga partneri jonë Raiffeisen Bank në Kosovë dhe AMC. (QKUK, ora 11:00)

- Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, do të takohet me U.D i Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Arsim Janova, ku do të  nënshkruajnë një Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi mes dy institucioneve, pas nënshkrimit të marrëveshjes do të ketë konferencë për medie. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, kati i IV, ora 11:15)

- Seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë të premten do të vazhdojë sot. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 13:00)