25 Prill 2024

Kurti: Nuk mund të ketë marrëveshje pa dialog, as dialog me harta

Prishtinë, 20 nëntor - Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, znj. Fitore Pacolli, priti sot në takim bashkëpunëtorin e programit për Politikë të Jashtme në Institutin Brookings, njëherit anëtarin e Bordit Këshillimor të Nivelit të Lartë për Ndërmjetësim pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Jean-Marie Guéhenno, të shoqëruar nga Mark Baskin dhe Cristian Bobocea nga Qendra Humanitare për Dialog (HD).

Guéhenno e uroi kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor. Ai shprehu interesimin për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, dhe për prioritetet e qeverisë së re, pjesën që ka të bëjë me dialogun me Serbinë për të cilën edhe tha se do ta ofroj mbështetjen përbrenda qasjes që do e ndërtoj qeveria e re e vendit.

Kryetari e falënderoi z. Guéhenno për vizitën dhe urimin. Ai e njoftoi atë se rreth 80 për qind e programit qeverisës tashmë është harmonizuar me Lidhjen Demokratike dhe që tani ka mbetur vetëm ndarja e përgjegjësive, funksioneve e pozitave që pritet të ndodhë shumë shpejtë.

Ai tha se prioritet i qeverisë do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës dhe drejtësia ku aktivisht luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta shtetërore.

Kurti foli për krijimin e Gjykatës Komerciale, Bankën Zhvillimore dhe Fondit Sovran që së bashku me investimet nga jashtë, e para së gjithash nga diaspora do e shtrojnë rrugën e zhvillimit që sjellë punësim e mirëqenie për qytetarët e vendit.

Sa i përket dialogut, Kryetari përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë marrëveshje pa dialog, as dialog me harta dhe as marrëveshje ku presidentët qëndrojnë sipër hartave në tryezë.

Vetëm një dialog i përgatitur mirë dhe parimor ku qytetarët dhe shoqëria janë përfituesit kryesorë sjell një marrëveshje të qëndrueshme, tha ai.

Në fund të këtij takimi, palët shprehen gatishmërinë dhe interesimin e tyre për ta vazhduar komunikimin në të ardhmen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)