04 Qershor 2020

Kurti e Kosnett shprehën interesimin për komunikim të vazhdueshëm

Prishtinë, 8 tetor - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, sot priti në takim Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, shkëlqesinë e tij, Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, znj.Jessica Long dhe zyrtarja politike, znj.Mia Ter Har.

Në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve.

Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë. 

Kryetari Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë.

Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta.

Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre.

Nuk duhet të vonohemi por s'kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj. 

Në fund të takimit, të dy palët shprehën interesimin për komunikim të vazhdueshëm e takime të mëtutjeshme. 
 

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Qershor 2020

- Mbahet ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)
   
- Kompanitë e auto-shkollave protestojnë për rifillimin e punës. (Para Ministrise se Infrastruktures, ish-pallati i Rilindjes, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi publikon raportin “Dështimi i gjykatave në mbushjen e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”. (Hotel “Sirius”, ora 10:30)
   
-  Mbahet seancë e Kuvendit në të cilën pritet të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Lakrishte. (Lagja Lakrishte në Prishtinë, ora 11:00)

- Këshilli iniciues i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës organizon protestë para mensës së Termocentralit Kosova B. (Termocentrali Kosova B, Obiliq, ora 12:00)