24 Prill 2024

Kryesia cakton rendin e ditës për seancat e 15 dhe 22 korrik

Prishtinë, 13 korrik - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për dy seancat e radhës, të cilat do të mbahen më 15 dhe më 22 korrik.

Në seancën e 15 korrikut, pas pikave të zakonshme të rendit të ditës së seancave të rregullta parlamentare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare në adresë të Qeverisë së Kosovës, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për Vlerësimin Strategjik Mjedisor, Projektligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, Projektligjin për Prishtinën, Projektligjin për Ujërat e Kosovës dhe atë për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

Në lexim të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen dy projektligje: Projektligji për Komponentin Rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ai për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës. Do të shqyrtohet edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për ndërrimin e anëtarëve të komisioneve parlamentare.

Seanca e 22 korrikut do të jetë e rezervuar për shqyrtimin e raporteve, rekomandimeve dhe kërkesave të autoriteteve dhe institucioneve të tjera. Do të shqyrtohen: Raporti i punës së Avokatit të Popullit për vitin 2009, Raporti i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Raporti i Institutit Gjyqësor të Kosovës, rekomandimi i Komisionit për Programin Kombëtar të Shkencës dhe ai i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me pasqyrat e audituara të Trustit të Kursimeve Pensionale.

Rendi i ditës për këtë seancë mund të pësojë ndryshime.

Kryesia diskutoi edhe rreth njoftimit të qeverisë lidhur me ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Botërore dhe u dakordua që rreth futjes së saj në rend dite, të vendoset pas konsultimeve me kryetarët e grupeve parlamentare. 

Gjatë kësaj mbledhje, kryesia shqyrtoi dhe delegoi nëpër komisione përkatëse disa kërkesa, mocione dhe rekomandime, të ardhura nga qeveria dhe institucione të tjera. Komisionit për Buxhet dhe Financa iu deleguan për shqyrtim: propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me propozimin e anëtarëve të Bordit të Pavarur për Rishqyrtim të Ankesave dhe ai për propozimin e anëtarit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

U përkrahën, ndërkaq, kërkesa e Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë për t’u ngarkuar si Komision bashkëpërgjegjës për shqyrtimin e Propozim Strategjisë së Sigurisë dhe ajo e Komisionit për Punë të Jashtme, për lejimin e organizimit të Konferencës Rajonale në Prishtinë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)