24 Shtator 2020

Kryeparlamentarja Osmani përkrah kërkesat e infermiereve

Prishtinë, 3 gusht - Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, priti sot përfaqësuesit e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, të kryesuar nga z. Fitim Havolli, kryetar i kësaj organizate sindikale.
 
Në takimin me ta, znj. Osmani çmoi lart angazhimin e pakursyer të infermierëve në gjithë vendin për ruajtjen e shëndetit të popullatës. Në mënyrë të veçantë ajo e theksoi rolin e pazëvendësueshëm të tyre në menaxhimin e pandemisë.
 
"Puna juaj në ofrimin e shërbimeve mjekësore për pacientët e prekur me virusin Covid 19 është tepër e rëndësishme", tha ajo.
 
"Por, krahas këtij trajtimi, komunikimi social dhe aspekti psikologjik, të cilin ju po ua ofroni pacientëve të prekur nga ky virus, është po kështu shumë i rëndësishëm", nënvizoi znj. Osmani.
 
Më tej, znj. Osmani tha se është në dijeni me vështirësitë me të cilat ballafaqohen punonjësit shëndetësorë, në veçanti infermierët, trajtimi i të cilëve nuk është i dinjitetshëm. Ajo i siguroi përfaqësuesit e Sindikatës së Infermierëve se, si kryetare e Kuvendit do të ushtrojë rolin e saj që infermierët të kenë trajtimin e duhur, sidomos tani në kohë të pandemisë.
 
“Sikur kam nënvizuar edhe më herët, se mostrajtimi me dinjitet i infermierëve dhe i stafit tjetër shëndetësor, konsideroj se afekton jetët e qytetarëve tanë”, theksoi znj. Osmani.
 
Përfaqësuesit e sindikatës, nga ane tyre, e njoftuan kryetaren Osmani me angazhimin e tyre gjatë kohës së pandemisë, por edhe me vështirësitë me të cilat po ballafaqohen si profesionistë shëndetësorë, pasi që janë jo vetëm të mbingarkuar, por edhe në numër të pamjaftueshëm, pasi që një numër infermierësh janë prekur tashmë me virusin.
 
Në mënyrë të veçantë, sindikalistët e shtruan çështjen e moszbatimit të ligjit dhe kompensimin e ulët për orët e kujdestarisë së infermierëve. Prandaj, ata kërkuan zbatim të ligjit si dhe plotësim të tij.

Në fund, Kryetarja Osmani premtoi që do t’u kushtojë vëmendje të veçantë të gjitha çështjeve të ngritura dhe konfirmoi se do t’i adresojë tutje ato.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Komunën e Ferizajt. (Objekti i Komunës Ferizaj, ora 9:30)

- Në kuadër të Javës së sporti, Federata e Pingpongut në bashkëpunim me Departamentin e sportit të MKRS do të organizoj një aktivitet promovues për pingpongun në Pejë. (Sheshi Dukagjini në Pejë, ora 10:00)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Mural Fest. (Muralet e qytetit në Ferizaj, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit fillon projektin e Drejtorisë së Shëndetësisë për Kujdesin Geriatrik me ç'rast kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj do të prononcohen për media. (Nisja do të bëhet nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të shqyrtohet plani i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në ndarjen e certifikatave për të rinj të trajnuar për ndërmarrësi. (Qendra e Inovacionit në Ferizaj, ora 11:00)

- Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi mbajnë konferencën për media. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:30)

-  Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)
 
 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në aktivitet me misionin e OSBE-së. (Muzeu i Kosovës, ora 14:00)