29 Mars 2024

Kryeministri Kurti prezantoi në Kuvend programin e Qeverisë 2021-2025

Prishtinë, 17 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar Programin e  Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025, në Kuvendin e Kosovës.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se zgjedhjet e 14 shkurtit ishin riafirmim i vitalitetit tonë si shoqëri dhe si popull.

“Ishin konfirmim i besimit në vlerat më bazike të punës dhe dijes, mirësjelljes dhe përuljes, ndershmërisë dhe sinqeritetit. Besimi se fitimi vjen nga puna e ndershme dhe se pushteti nuk është i rezervuar për të pasurit apo të korruptuarit, por për secilin që angazhohet me dije e me integritet, me punë dhe përkushtim, me sakrificë dhe atdhedashuri. E më në fund, këto virtyte në popull u takuan me një qeveri që përfaqëson pikërisht këto vlera”, tha kryeministri Kurti.

Sot janë bërë 55 ditë nga marrja e detyrës së qeverisë Kurti ku në këto 55 ditë Kurti ka thënë se kanë bërë shumë punë të cilat do të hedhin bazat drejt zhvillimit dhe progresit për katër vitet e ardhshme.

''Siç e kemi thënë edhe në program, prioriteti më urgjent është menaxhimi i pandemisë.  Me marrjen e mandatit ne kemi hartuar pa humbur kohë një plan i cili synonte që së pari të ndalte trendin e rrezikshëm që e trashëguam të rritjes së infektimeve dhe të vdekjeve, dhe pastaj të kthenim mbrapsht këtë trend me synim eliminimin e vdekjeve si pasojë e virusit COVID-19.''

''Pas 41 ditësh të hyrjes në fuqi të masave të reja, unë mund të raportoj këtu se këto masa ishin efektive dhe të suksesshme. Edhe falë këtyre masave sot kemi një situatë krejt tjetër. Në dy javë para hyrjes në fuqi të masave të reja, nga 23 mars deri më 5 prill në total kishim 10,939 raste të reja me një mesatare ditore prej 781 raste në ditë, ndërsa në dy javët e fundit, nga 2 deri në 15 maj kemi 1,379 raste të reja dhe një mesatare prej 98 rasteve në ditë, pra një ulje prej 87.4% të numrit të rasteve, që do të thotë se qeverisja e mirë funksionon'', ka theksuar Kurti.

Paralelisht me marrjen dhe zbatimin e masave të reja qeveria sipas tij ka punuar pa u ndalur që të sigurojë sa më shumë e sa më shpejtë vaksina dhe të përgatisim administrimin e tyre në mënyrë që të kemi një proces të rrjedhshëm dhe të pandalshëm të vaksinimit.

''Në këto 55 ditë kemi arritur të sigurojmë 74,100 vaksina, ndërsa deri në fund të këtij muaji do të kemi edhe 142,530 vaksina tjera që gjithsej arrijnë në 216,630 vaksina. Me këto dhe me pritjet që kemi për muajin qershor, jemi në rrugë të mirë për të garantuar imunizimin e 60% të popullsisë në grupmoshën e atyre që duhet vaksinuar deri në fundin e vitit 2021.''

''Natyrisht se kjo situatë e lehtësuar me COVID-in nuk është rezultat vetëm i qeverisë, por edhe i bashkëpunimit të bizneseve dhe qytetarëve, bashkëpunim i cili duhet të vazhdojë në mënyrë që të ruajmë jetën e secilit'', ka shtuar ai me tutje.

Më tej, kryeministri Kurti, duke folur për programin qeverisës, tha para deputetëve se  programi që po e prezanton është reflektim i premtimeve jo vetëm të fushatës elektorale, por i premtimeve ndaj së ardhmes.

“Është më shumë se numra dhe shkronja dhe më shumë se kursime dhe shpenzime, sepse është projektim i modelit të shoqërisë që duam të ndërtojmë së bashku”, tha kryeministri Kurti.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)