18 Prill 2024

Kryeministri Kurti kërkon garancë nga SHBA dhe BE për marrëveshjen me Serbinë

Prishtinë, 8 prill - Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, përmes së cilës i ka uruar atij marrjen e re të detyrës dhe suksese.

Kryeministri në detyrë Kurti, përmes kësaj letre është shprehur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve tona.

"Si qeveri në detyrë e Republikës së Kosovës, jemi të përkushtuar për zhvillimin e një procesi të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të dialogut. Ne konsiderojmë që të dyja palët duhet të punojnë intensivisht për të arritur një marrëveshje përfundimtare për të gjitha mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë."

"Në mënyrë që ky proces të jetë gjithëpërfshirës po ashtu edhe shterrues, të dy vendet duhet të pajtohen që të sjellin në tavolinën e bisedimeve të gjitha çështjet e pazgjidhura të marrëdhënieve të tyre bilaterale. Ky është parakusht që dialogu të ketë rezultat të suksesshëm", thekson kryeministri Kurti.

Palët sipas tij duhet të sigurojnë që në asnjë rrethanë ose situatë të mos diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme.

"Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore", ka shkruar me tutje Kurti.

Dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti konsideron se marrëveshja përfundimtare duhet të shoqërohet me një garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që obligon zbatimin e ndërsjellë dhe të plotë të marrëveshjes.

Marrëveshja sipas tij duhet të shoqërohet me një paketë masash politike, ekonomike dhe financiare që do të përshpejtonin konvergjencën e standardit të jetesës në të dyja vendet, si dhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

"Si Kryeministër, jam i obliguar sipas Kushtetutës që të themeloj dhe udhëheq ekipin negociator. Prandaj, plani im është që të krijoj një ekip gjithëpërfshirës dhe të balancuar në baza gjinore", ka shkruar Kurti.

Përbërja e ekipit do të jetë si në vijim: Kryeministri Albin Kurti Udhëheqës i ekipit negociator, Presidenti Hashim Thaçi anëtar, Kryeparalamentarja Vjosa Osmani anëtare, një përfaqësuesi i LVV, një i LDK-së, një i PDK-së, një i AAK-PSD, një NISMA-AKR, një Listës Serbe dhe një përfaqësues i Grupit 6+.

Ndërkaq, Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, ia ka kthyer letrën kryeministrit në detyrë Kurti duke theksuar se është i inkurajuar pasi e ka lexuar letrën e kryeministrit në detyrë Kurti, i cili ka thënë se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e Dialogut, dhe është e gatshme të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese.

"Këto ditë janë të vështira për të gjithë ne në Evropë, pasi që po përballemi me sfida të pa-përjetuara më herët, në shëndetin tonë publik, shoqëri dhe ekonomi. Dëshiroj t'ju përgëzoj juve, dhe administratën tuaj, për përpjekjet tuaja në luftën kundër pandemisë së koronavirusit deri më tani."

"Gjithashtu dëshiroj t'ju siguroj se BE-ja qëndron përkrah Kosovës dhe njerëzve të saj në luftën kundër kësaj pandemie. Ndihma jonë e menjëhershme financiare prej 5 milion Euro për t'i përmbushur nevojat më urgjente në luftimin e koronavirusit, është vetëm fillimi i mbështetjes sonë për Kosovën", ka shkruar Lajçak.

Bashkëpunimi rajonal në këto periudha sfiduese, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëvizjen e papenguar të mallrave sipas tij është thelbësor për të mbajtur në kontroll pandeminë.

Gjithashtu në këtë kontekst, ai ka përsërit mirëpritjen e BE-së për vendimin për heqjen e tarifave për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

"Kam kënaqësinë të vërej besimin tuaj të vendosur në idealet e Bashkimit Evropian, rëndësinë e tyre dhe përkatësinë e tyre për Kosovën. Më lejoni t'ju siguroj se për Bashkimin Evropian dhe vendet e saj anëtare është me rëndësi shumë të lartë të ndihmojmë fqinjët tanë të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre evropiane."

"Kosova ndan perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe unë besoj se me punën tonë në dialog dhe progresin në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, ne do të mundësojmë progres të mëtutjeshëm në rrugën tuaj evropiane", ka shkruar Lajçak.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)