28 Mars 2024

Kryeministri Erdogan premton përkrahje për Kosovën

Ankara, 2 shkurt - “Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës çmojnë lart rolin që ka pasur Turqia në procesin e lirisë dhe të pavarësisë së vendit tonë”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot në Ankara me kryeministrin turk, z. Rexhep Taip Erdogan.

“Kosova dhe Turqia kanë lidhje të fuqishme historike e kulturore, të cilat do të thellohen edhe më shumë në të ardhmen, meqë ekziston vullneti i dyanshëm për këtë”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ai falënderoi Kryeministrin Erdogan për mbështetjen që ai personalisht dhe Qeveria e Turqisë i ka dhënë Kosovës, veçmas në procesin e njohjes së pavarësisë së vendit tonë.

Ndërkaq, Kryeministri Erdogan e siguroi Presidentin Sejdiu se diplomacia turke do të vazhdojë të punojë me tërë përkushtimin për integrimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Po ashtu, ai ritheksoi gatishmërinë e Republikës së Turqisë për të punuar për sigurimin e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës, sidomos nga vendet e Konferencës Islamike dhe nga vendet e tjera te të cilat Turqia ka influencën e vet.

Gjatë këtij takimi u bisedua për forma konkrete të bashkëpunimit në mes të dyja vendeve, sidomos në ekonomi, në edukim, në kulturë etj. Kryeministri Erdogan tha se vendi i tij do të vazhdojë të japë bursa për studentët nga Kosova, si në nivel të studimeve bazike, ashtu edhe për ato të magjistraturës dhe të doktoraturës.

Një theks të veçantë Kryeministri Erdogan i kushtoi çështjes së investimeve turke në Kosovë, duke premtuar se do t’i nxisë bizneset turke të jenë sa më të pranishme në Kosovë.

Edhe gjatë këtij takimi, u ritheksua se marrëdhëniet vëllazërore në mes dy vendeve i kanë të gjithë mundësitë e intensifikimit të mëtejmë, ndërsa komuniteti turk në Kosovë dhe qytetarët me prejardhje nga Kosova që jetojnë në Turqi janë një urë që do të shërbejë si themel i sigurt për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve.
 
Sejdiu ftoi Presidentin Gyl për vizitë në Kosovë

Gjatë takimit që pati sot me Presidentin e Republikës së Turqisë, z. Abdullah Gyl, Presidenti Sejdiu e ka ftuar atë që të vizitojë vendin tonë. Ftesa është pranuar me kënaqësi nga Presidenti Gyl, porsa protokollet përkatëse të dy vendeve të arrijnë të harmonizojnë një datë të përshtatshme për të dy presidentët.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)