29 Mars 2024

Kryeministri Albin Kurti edhe zyrtarisht pranon pozitën e kreut të Qeverisë

Prishtinë, 4 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar edhe zyrtarisht detyrën e kreut të ekzekutivit nga zëvendëskryeministri i deritashëm, Behgjet Pacolli, të përcjellë nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të rreshtuar në nderim të kryeministrit të ri.

Pas kësaj ceremonie shtetërore, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, tha se kishte nderin që në mënyrë edhe zyrtare t’ia dorëzojë kryeministrit të ri, Albin Kurti, pozitën e kreut të Qeverisë së Kosovës, duke e quajtur këtë një ditë të jashtëzakonshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Ne e kemi edhe një raport të cilin do t’ua dorëzoj. Do të ishte mire që këtë ta bënte z. Haradinaj, por meqenëse ai nuk është këtu më ka autorizuar mua që të jem unë ai që e dorëzon detyrën duke iu dëshiruar çdo gjë  të bukur, suksese të mëdha, shëndet, lumturi dhe punë të mbarë”, theksoi zëvendëskryeministri Pacolli, duke shtuar se beson që kryeministri Kurti do t’ia dalë në punën që e bën, për shkak se është i vetëdijshëm që e bën mirë atë që e bën dhe se e do punën,  suksesin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Ndër tjerash, duke folur para gazetarëve, zëvendëskryeministri Pacolli, tha se sot nis një fillim i ri, një ndarje e të shkuarës me të ardhmen, duke shprehur dëshirën që çdo ditë të dëgjonte lajme të mira pasi siç tha ai, Kosova ka nevojë për suksese.

Pas pranim-dorëzimit të detyrës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e falënderoi, z. Pacolli për pritjen dhe ceremoninë e sotme, por edhe raportin e punës së Qeverisë së deritashme, të cilin raport tha se do ta lexojë me kujdes.

“Unë mbrëmë kam biseduar me kryeministrin Haradinaj i cili ndodhet në SHBA dhe kthehet në fundjavë. Pastaj do të takohemi edhe me të dhe ta mbajmë komunikimin e bashkëpunimin tonë”, u shpreh kryeministri Albin Kurti.

Pas pranimit të detyrës zyrtare, kryeministri Albin Kurti mbajti mbledhjen e parë ceremoniale të Qeverisë së Republikës Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)