24 Shtator 2018

Kroacia ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm i Kosovës

Prishtinë, 14 mars - Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim homologen e tij nga Kroacia, Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Marija Pejčinović - Burić, ku kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Në konferencën e përbashkët për media, ministri i jashtëm Pacolli vlerësoi se Kroacia ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm i Kosovës drejt integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimit në Organizata Ndërkombëtare.

Kryediplomati kosovar ka thënë se në takim është biseduar për bashkëpunimin e përgjithshëm ndërmjet dy shteteve, me theks të veçantë nevojën e rritjes së bashkëpunimin ekonomik e tregtar, pasi sipas tij, Kroacia mund të ofrojë shumë nga përvoja e tyre, ndërsa Kosova ofron hapësirë të shkëlqyeshme dhe burime njerëzore për partnerët ekonomik kroat.

“Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë janë të shkëlqyeshme. Kroacia ka qenë gjithmonë zë i fuqishëm i Kosovës dhe ashtu do të jetë edhe në të ardhmen”, ka thënë ministri i jashtëm Pacolli.

Në kuadër të këtij takimi është diskutuar edhe për Bosnje e Hercegovinën, gjë për të cilën, homologia e tij kroate Pejčinović – Burić ka premtuar, që do të angazhohen për mundësinë e krijimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja shteteve.

Duke folur për zhvillimet e gjithmbarshme në vend, Zëvendëskryeministrja dhe Ministra e Jashtme kroate, Pejčinović – Burić, ka vlerësuar të arriturat e shtetit të Kosovës, si dhe ka premtuar vazhdimin e angazhimit të shtetit kroat për ta mbështetur Kosovën.

“Kosova ka bërë shumë hapa, është një shtet i respektuar, por ka ende sfida. Kroacia është e gatshme të ndihmojë Kosovën në këto sfida”, ka thënë ajo, duke shtuar se “dy shtetet kanë marrëdhënie politike të shkëlqyeshme”, ndërkohë ka potencuar nevojën e ngritjes së mëtejme të bashkëpunimit ekonomik.

Në këtë drejtim, ajo ka përmendur edhe fusha të caktuara, ku të dyja shtetet mund të bashkëpunojnë, sikurse energjetika, telekomunikacioni, etj. 

Në vazhdim, kryediplomatja kroate ka folur edhe për të drejtat e minoriteteve në Kroaci, ndërkohë ka kërkuar avancimin e të drejtave të kroatëve në Kosovë.

Në fund, Pejčinović – Burić ka shprehur përkushtimin e Kroacisë për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik, anëtarësimin e Kosovës në Organizata  ndërkombëtare si dhe në procesin e liberalizimit të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës.

 

Kalendari

Ngajrjet e datës 24 shtator 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Transmetuesin Publik të Kosovës, shqyrtimi i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)


- Misioni i OSBE-së do të publikojë dy raporte që kanë të bëjnë me legjislacionin dygjuhësh dhe respektimin e të drejtave gjuhësore në Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të shumta për shënimin e Ditës Evropiane të Gjuhëve. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:30)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e Diskutimit me temë "Monitorimi i Planit Strategjik të KPK-së: Ku po qëndron sistemi prokurorial në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik?". (Hotelin Swiss Diamond, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës së Sportit Evripian Federate e çiklizimit te Kosovës organizon garën e hapur çiklistike për të gjitha kategoritë dhe grupmoshat nga 20 deri 100 km. (Gjilan, ora 11:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi do të shoqëroj Drejtoreshën e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, gjatë vizitës ku ata do të përcjellin një Vullnetare të Korpusit të Paqës në punë në shkollën e saj në një fshat të Kosovës. (Shkolla fillore “Nëna Tereza”, fshati Vranidoll, ora 11:15)

- Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do ta organizojë “Ditën e Librit të Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj cenzurës, me theks të veçantë te cenzurimi i librave. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG Sabina Eder do të nënshkruajnë marrëveshjen për kredi në vlerë prej 5.349 milionë euro për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës. (Ndërtesa e  Qeverisë, kati 11, ora 15:00)

- Mbahet diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat digjen, (por) idetë jo” me moderim nga Liridona Sijarina. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohen me Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Shqipërisë.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 15:00)

- Organizohet shfaqja e filmit “Fahrenheit 451” në bashkëpunim me “Film n’park”. (Parku i Qytetit të Prishtinës, ora 19:00)