20 Prill 2024

Kriminelët e luftës duhet të dënohen për krimet e shkaktuara në të gjitha frontet

Prishtinë, 9 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në seancën e veçantë të Kuvendit, që u mbajt me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kushtuar sensibilizimit të çështjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Para deputetëve, kryeministrit Kurti tha se edhe pse kanë kaluar 22 vjet, plagët e luftës ende janë të hapura. “Plagët i kemi të hapura në shumë fronte. Kemi ende persona të zhdukur, dëme që akoma s'i kemi matur, dhe shumë borxhe të papaguara. Por, fronti që na ka hapur plagë më tepër e për të cilin dua të kem vëmendjen tuaj sot, janë gratë dhe burrat e përdhunuar të cilët edhe sot vazhdojnë të jetojnë me barrën e rëndë të padrejtësisë, stigmës dhe izolimit”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti theksoi se si qytetar e si aktivist, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës e ka pasur për detyrë të flas e të kërkoj veprim shtetëror, ndërsa sot si kryeministër i vendit e ka për detyrë të veproj.

“Kriminelët e luftës duhet të dënohen për krimet e shkaktuara në të gjitha frontet. Deri sot ka pasur mungesë të qartë të angazhimit politik për ndjekjen penale të krimeve dhe kriminelëve të luftës dhe kjo vonesë kaq e madhe është po ashtu një pengesë e madhe. Mungesa nuk ka qëndruar vetëm në ndjekjen penale të tyre, por për shumë vjet edhe në vetë njohjen e tyre si viktima të luftës”, u shpreh kryeministri Kurti.

Në seancën e veçantë të Kuvendit, kryeministri Kurti theksoi një ndër prioritetet e Qeverisë është padia e Kosovës për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Kjo do të jetë rrugë e gjatë, sepse dëshirojmë që të sigurohemi që të jemi të suksesshëm në këtë proces, por ne veçse kemi filluar punën në këtë drejtim. Pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund të kemi qetësi”, u shpreh kryeministri Kurti. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)