26 Prill 2024

Krasniqi u shkruan shteteve evropiane rreth raportit të Martit

Prishtinë, 24 dhjetor - Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi u është drejtuar me një letër vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, udhëheqësve të këtij institucioni dhe institucioneve të tjera evropiane, si dhe udhëheqësve të shteteve dhe të parlamenteve të shteteve të tjera, pas publikimit ditë më parë të raportit të Raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Në letër thuhet:

Kam konstatuar me shqetësim të veçantë raportin e Raportuesit të Këshillit të Evropës në lidhje me të ashtuquajturin trajtimin johuman të njerëzve dhe trafikimin ilegal të organeve në Kosovë. Menjëherë kam shprehur indinjatën e thellë për këtë raport absurd të mbushur me trillime të pastra, fakte dhe hamendësi të paqena dhe të pavërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare.

Siç jeni në dijeni, akuza të tilla janë hetuar nga prokuroria e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e cila më pas i ka mbyllur këto hetime për shkak të mungesës së provave të bazuara. Ky raport bazohet tek deklaratat e papërgjegjshme të ish-Kryeprokurores Carla Del Ponte, të cilat nuk janë gjë tjetër veç një inkurajim i ngatërrimit të fakteve me thashethemet dhe si një rrezik për të revizionuar ato që kanë ndodhur me të vërtetë, si dhe për të justifikuar dështimin e saj si prokurore, duke mos vënë para drejtësisë kriminelët e njohur të luftërave në ish-Jugosllavi.

Ky raport përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara për të ngatërruar viktimat me fajtorin dhe për të relativizuar persekutimin dhe vuajtjet e popullit të Kosovës nën regjimin e Sllobodan Miloshevicit. Nga ana tjetër, ky raport është një përpjekje për të hedhur baltë mbi mbështetjen që forcat demokratike perëndimore i dhanë popullit të Kosovës duke mënjanuar pasojat e gjenocidit dhe pastrimit etnik. Akuzat makabre të këtij raporti kanë për qëllim të pengojë njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe të dobësojnë pozitat e qeverisë së Republikës së Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë. Ky raport qëllimisht trillon fakte dhe ngatërron periudha të ndryshme kohore vetëm e vetëm për të satanizuar luftën e drejtë të popullit tim për liri dhe të drejta njerëzore.

Me përgjegjësi të plotë, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Ushtrues i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, ju garantoj për pastërtinë e luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga fillimi i luftimeve dhe deri në mbarim të tyre, me hyrjen në Kosovë të forcave të NATO-s. Në këtë kuadër, garantoj se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë në dispozicion të plotë të çdo hetimi vendor apo ndërkombëtar, në mënyrë që akuza të tilla të mbyllen njëherë e përgjithmonë.

Kam bindjen e plotë se denoncimi dhe përgënjeshtrimi i këtyre shpifjeve absurde dhe të padenja do t’i kontribuojë pajtimit midis popujve të rajonit tonë dhe shndërrimit të Ballkanit në një rajon paqeje, stabiliteti dhe sigurie.

Duke ju shprehur edhe njëherë mirënjohjen time dhe të popullit të Republikës së Kosovës për ndihmën tuaj të çmuar dhe të gjithanshme, mirëpres mbështetjen tuaj për të mos lejuar adoptimin e këtij raporti si dokument zyrtar të Këshillit të Evropës, me qëllim të mbrojtjes së kauzave tona të përbashkëta për liri, të drejta njerëzore, paqe dhe stabilitet. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)