19 Prill 2024

Krasniqi takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

Prishtinë, 19 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës. dr. Jakup Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e komisioneve parlamentare me të cilët trajtoi çështje të procedimit të projektligjeve nga komisionet parlamentare.

I pakënaqur me vonesat e amendamentimit të projektligjeve deri në shqyrtim të dytë dhe miratim përfundimtar, kryeparlamentari Krasniqi  ka theksuar faktin që nga 29 projektligje në procedurën e shqyrtimit nëpër komisione, për 19 sish është tejkaluar afati i paraparë me Rregulloren e Punës së Kuvendit për paraqitjen e raporteve me rekomandime.

Prandaj kreu i Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar angazhim më të madh të komisioneve funksionale për përshpejtimin  e shqyrtimit të amendamenteve për projektligjet në procedure parlamentare. Nga komisionet e përhershme, ndërkaq, Krasniqi ka kërkuar të përshpejtojnë shqyrtimin e raporteve të komisioneve funksionale, në funksion të efikasitetit të legjislativit të vendit.

Ai ka shfaqur brengosjen e tij për vonimin për katër muaj të plotë të Projektligjit për shërbyesit civilë dhe atë Për pagat.

Duke u pajtuar me vërejtjet e kryeparlamentarit Krasniqi, kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, ka theksuar faktin që megjithëse komisioni, të cilin e udhëheq, është ndër më të ngarkuarit në Kuvend, nuk ka ndodhur asnjë vonim amendamentimi, por ka përmendur raste kur komisionet kryesore, me gjithë amendamentet e marra me kohë, i kanë vonuar projektligjet edhe me shtatë muaj rresht, si në rastin e Projektligjit për dekoratat.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Sabri Hamiti, është angazhuar që të shkurtohet afati për amendamentimin e projektligjeve. Ai është shprehur edhe për mosdhënien e afateve shtesë për amendamentin, të cilat edhe ashtu janë stërzgjatur.

Zëvendëskryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Armend Zemaj është ndalur në stërngarkimin e komisionit me punë, duke i arsyetuar vonesat gjatë amendamentimit. Kryetari i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, Petar Miletiq, ka theksuar se vonesat nuk vijnë nga vetë anëtarët e komisionit, por pikërisht për shkak të ndikimeve (jashtë Kuvendit) në komision.

Të gjithë pjesëmarrësit në takim janë pajtuar se duhet përshpejtuar me miratimin e projektligjeve procedure dhe të atyre që presin. Janë pajtuar gjithashtu se vizitat jashtë vendit të anëtarë të komisioneve, duhet të harmonizohen me agjendën e punës së Kuvendit. Në këtë vështrim është pohuar se edhe kryetarët e grupeve parlamentare duhet të shohin me sy kritik çështjen e vizitave jashtë vendit të deputetëve të tyre, të cilat më shumë duken si ekskursione se sa vizita pune, është thënë në takim.

Duke shqyrtuar Udhëzuesin për elabormimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të Planit  të veprimit të Kuvendit për integrime evropiane, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Zylfie Hundozi, ka theksuar se ai duhet tu shpërndahet komisioneve, në mënyrë që në afatin sa më të shkurtër ato të hartojnë raporte për veprimet që kanë marrë lidhur me sfidat që dalin nga Raporti i Progresit.

Nga to Kuvendi (deri në korrik) do të përgatisë një raport të përgjithshëm për përmbushjen e këtyre sfidave që di t’i shërbente Komisionit Evropian  për Raportin e sivjetmë të progresit për Kosovën. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)