25 Prill 2024

Krasniqi mori urime me rastin e trevjetorit të pavarësisë

Prishtinë, 18 shkurt - Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi i kanë arritur një varg telegramesh urimi me rastin e përvjetorit të tretë të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Barack Obama, duke uruar në emrin e tij dhe të popullit amerikan, shkruan se “17 Shkurti nuk është vetëm një ditë e cila reflekton mbi luftën e gjatë të Kosovës për Pavarësi, por gjithashtu është ditë për të shikuar drejt një të ardhmeje të ndritshme për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin të angazhuara për të mbështetur Kosovën sovrane, shumetnike dhe demokratike. Shteti juaj ka bërë hapa të mëdhenj gjatë tre viteve të Pavarësisë. Shpresoj që viti 2011 të jetë vit i progresit të vazhdueshëm mbi reformat që i nevojiten Kosovës për përparim në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik, duke përfshirë forcimin e sundimit të ligjit mbi të gjithë vendin tuaj”, shkruan në urimin e tij Presidenti i SHBA, Barack Obama.

U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi ka marrë një mesazh me urimet e më të ngrohta për shkëlqesinë e Tij dhe për popullin e Republikës së Kosovës nga Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II.

Po ashtu, ai ka marrë mesazh urimi edhe nga Mbretëresha e Holandës, Beatrix R., e cila shkruan: “Me rastin e Ditës Kombëtare i uroj Shkëlqesisë Suaj  urimet e mia më të sinqerta  për mirëqenien e Popullit të Kosovës”.

U.D. të Presidentit dhe popullin e Kosovës e ka uruar edhe Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Micheline Calmy-Rey.

Në urimin e saj thuhet: “Në emër të Federatës Zvicerane, kam kënaqësinë t\'ju përcjell urimet më të sinqerta për Ju, Qeverinë dhe Popullin e Kosovës me rastin e Ditës Kombëtare duke ju dëshiruar prosperitet dhe mirëqenie në vitin vijues. Më lejoni të shfrytëzoj nga rasti dhe të shpreh besimin tim që lidhja miqësore dhe bashkëpunimi të cilin e gëzojnë të dy vendet tona do të thellohen edhe më tutje në të ardhmen e afërt”.

Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, në urimin e tij me rastin e trevjetorit të pavarësisë së Kosovës, shprehet se “vëllazëria jonë, e  cila buron nga fati i përbashkët i viteve më parë, përbën bazën e qëndrueshme të solidaritetit dhe bashkëpunimit tonë të gushtë”.

“Mbështetja e Turqisë për një Kosovë më të fuqishme dhe të prosperuar do të jetë e përhershme”, vijon z. Gyl. “Turqia, nga aspekti i sigurimit të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan, i kushton rëndësi të madhe ekzistimit të një Kosove me integritet të mbrojtur territorial, me orientim euroatlantik, shumetnike, shumëkulturore dhe demokratike”, shkruan ndër të tjera në urimin e tij Presidenti Gyl.

U.D. të Presidentit dhe popullin e Republikës së Kosovës, me rastin e trevjetorit të pavarësisë, i ka uruar edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi.

Në mesazhin drejtuar z. Krasniqit, Presidenti Topi shprehet: “I dashur zoti Krasniqi. Si President i Republikës së Shqipërisë është nder për mua t’ju drejtohem në momentin kur Kosova dhe mbarë kombi shqiptar festojnë Ditën e Pavarësisë së saj, këtë ditë, e cila përcaktoi në mënyrë përfundimtare fatin dhe perspektivën e qartë të Kosovës si një shtet i lirë, sovran, i pavarur dhe multietnik, me një të ardhme të konfiguruar qartë me vlerat dhe standardet euroatlantike. Historia e mbarë popullit shqiptar është një kalvar i pandalshëm sakrificash, përpjekjesh dhe aspiratash, por Dita e Pavarësisë është pika kulmore e historisë moderne të Kosovës, që do të mbetet ngaherë si një datë e pashlyer dhe një pikë reference e jashtëzakonshme për brezat e sotëm të shqiptarëve dhe ata që do të vijnë”.

Nënkryetari i Republikës së Maqedonisë, z.Rafiz Aliti, në telegramin e urimit drejtuar z.Krasniqi, thekson se 17 Shkurti , si datë historike që i shtohet ngjarjeve të mëdha në Kosovë, le të jetë një festë e madhe, një rast solemn për të përkujtuar sakrificën e popullit liridashës të Kosovës në të kaluarën dhe të gjithë atyre që kanë dhënë kontribut për çështjen kombëtare, për të reflektuar për një të ardhme të ndritur.

Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi ka marrë edhe shumë mesazhe të tjera urimi me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)