29 Mars 2024

KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, LVV fiton 58 ulëse

Prishtinë, 4 mars - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përmes një konference të mbajtur sot ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 14 shkurt ku është konfirmuar fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje (LV)e cila ka arritur t’i sigurojë 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar 19 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15 ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do t’i ketë 8 deputetë.

Ndërsa sa i përket komuniteteve jo shumicë, Lista Serbe do t’i ketë dhjetë ulëse, dy deputetë do t’i ketë Partia Demokratike Turke e Kosovës, dy të tjera Iniciativa Rome, ndërsa nga një ulëse në legjislaturën e re e kanë ftuar Koalicioni Vakat, Komuniteti i Bashkuar i Adrijana Hoxhiq, Partia e Re Demokratike, Partia Goranem Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Partia e Ashkalinjve për Integrim.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit e nxjerrin Vjosa Osmanin personin më të votuar. Ajo garoi në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe mori 300 mijë e 788 vota.

Në konferencën për media kryetarja e këtij komisioni Valdete Daka, e cila i bëri publike rezultatet, u bë e ditur se fitues i këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Lëvizja Vetëvendosje ka marrë gjithsej 438.334 vota apo 49.95 për qind. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 148.296 vota apo 16.9 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 110.978 apo 12.64 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 62.111 vota apo 7.07 për qind. Lista Serbe ka marrë 44.404 vota apo 5.06 për qind”, theksoi Daka.

Ajo bëri të ditur edhe rezultatin e njëjtë të përkthyer në sa ulëse kanë fituar secila parti në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë gjithsej, nga të cilat 20 janë vende të rezervuara për minoritetet.

“Lëvizja Vetëvendosje ka gjithsej 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës ka 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 15 ulëse, Lista Serbe ka 10 ulëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 ulëse, Partia Demokratike Turke e Kosovës ka 2 ulëse, Iniciativa Rome 2 ulëse, Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq 1 ulëse, Koalicioni Vakat 1 ulëse, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës 1 ulëse, Partia Demokratike e Re 1 ulëse, Partia Unike Gorane 1 ulëse dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim 1 ulëse”, tha Daka.

Kandidati më i votuar nga të gjitha listat sipas rezultateve përfundimtare është Vjosa Osmani e cila garoi në kuadër të listës së deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe mori gjithsej 300.788 vota.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, siç u bë e ditur nga KQZ-ja, numri i votuesve të regjistruar ka qenë 1.851.927 votues ndërsa nga këta, 814.122 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Ndërkaq, numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit, pra me kusht apo me postë, ka qenë 89.257 votues. Gjithsej pjesëmarrja në këto votime ka qenë 48.78 për qind.

Pas publikimit të këtyre rezultateve, subjektet politike dhe kandidatët për deputetë brenda 24 orëve kanë të drejtë ankese në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) si dhe më pas edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Vetëm pas përfundimit të afatit të ankesave do të certifikohen rezultatet, për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës. Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)