08 Mars 2021

KQZ: Certifikimi i kandidatëve, pas verifikimit

Prishtinë, 16 janar - Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit do të marrin pjesë 21 parti politike, dy koalicione parazgjedhore dhe pesë iniciativa qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për këto zgjedhje është 1.079, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se deri më 18 janar, ky institucion do të dërgojë për verifikim në gjashtë institucione, listat e kandidatëve për deputetë, në mënyrë që më pas kandidatët të certifikohen.

“KQZ-ja do të dërgojë kërkesë për verifikim nëse kandidatët janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe këtë kërkesë do ta dërgojë në gjashtë institucione: në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në Ministri të Punëve të Brendshme, në Agjenci të Kosovës për Inteligjencë, në Ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes”, tha Elezi, duke shtuar se presin që nga këto institucione të marrin përgjigje deri më 20 janar.

KQZ-ja tha se verifikimi do të bëhet për të respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 21 dhjetor si dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 Mars 2021

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit I.L. për vepren penale 'Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti merr pjesë në aktivitetin “Shënimi i 8 Marsit- Dita Ndërkombëtare e Gruas”, me ç’rast do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve me përfitueset e bizneseve të vogla të Grave nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike  2021 – Masa 4, Faza e dytë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:45)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion organizon aksion simbolik për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. (Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, ora 10:00)

- Oda e Mjekëve të Kosovës ndan mirënjohje për mjekët në pension dhe për institucionet shëndetësore të rajonit të Mitrovicës që kanë kontribuar në luftën kundër pandemisë COVID-19. (Spitali i Përgjithshëm Mitrovicë, ora 10:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media me ç’rast do të bëhet publikimi i raportit “Pasuria e (pa)ndarë - Posedimi i pasurisë nga zyrtaret politike dhe bashkëshortet e zyrtarëve politik”. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 10:30)

- Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës do të protestojë para ndërtesës së Qeverisë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)  

- Universiteti ''Kadri Zeka'' do të shënojë 8 vjetorin e themelimit! (Ambientet e Universitetit në Gjilan, ora 11:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas mbahet marshi “Marshojmë s’festojmë kundër patriarkatit që vret”,  (Nisja nga sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)  

- Shoqata e Gastronomëve organizon marsh protestues në të cilin do të kërkojnë hapje totale për bizneset. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

 

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-se, ora 14:00)

 

- Grupi I çiklizmit “Marakli t’Biciklave” për nder të ditës së gruas - 8 MARSI organizon eventin e radhës Marsho dhe çiklo që do të mbahet nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit të Kosovës - Prishtinë. (Sheshi ''Zahir Pajaziti'' në Prishtinë, ora 14:00)

- OJQ “ETEA” dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojnë bashkëbisedim me temën “Mësuesia ndër vite”. (Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në lagjen Dardania, ora 16:00)

- Qendra e Artit dhe Komunitetit organizon mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi - çdo ditë është 8 mars”. (Teatrin Kombëtar në Prishtinë, ora 19:00)