16 Prill 2024

Kosovës urgjent i nevojët t’i përshpejtoj proceset e reformave

Prishtinë, 30 nëntor -  Në takim përmes video-konferencës të mbajtur më 30 nëntor, anëtarët e Këshillit të Stabilizim Asociimit (Këshilli i SA-së) shqyrtuan progresin e Kosovës në rrugën e saj evropiane pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian 2020 për Kosovën.

Pjesëmarrësit diskutuan zhvillimet kryesore të fundit lidhur me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen aktuale në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2015.

Pjesëmarrësit mirëpritën angazhimin e vazhdueshëm strategjik të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe për Dialogun e lehtësuar nga BE me Serbinë.

Ata ranë dakord për nevojën urgjente për t’i përshpejtuar proceset e reformave, përfshirë përmes fazës së dytë të Agjendës Evropiane të Reformës, duke kërkuar fokus të shtuar nga të gjithë aktorët politikë dhe një strukturë efektive të koordinimit brenda institucioneve të Kosovës.

Pjesëmarrësit përsëritën rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Vendimi për propozim mbetet në shqyrtim në Këshill.

Pjesëmarrësit diskutuan prioritetet e reformave në fushat si sundimi i ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimi i të drejtave themelore, reforma e administratës publike, zhvillimi ekonomik, arsimi dhe punësimi.

Sa i përket Dhomave të Specializuara, pjesëmarrësit e çmuan bashkëpunimin e treguar kohëve të fundit nga autoritetet e Kosovës dhe të arrestuarit.

Pjesëmarrësit ranë dakord për nevojën për përkushtim të vazhdueshëm nga Kosova, në përputhje të plotë me rendin e saj ligjor dhe detyrimet e saj ndërkombëtare, me përpjekje të mirëfillta për ta garantuar sundimin e ligjit, liritë themelore, drejtësinë dhe pajtimin.

Pjesëmarrësit mirëpritën rifillimin e Dialogut të lehtësuar nga BE në korrik 2020 pas emërimit të Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajčák dhe heqjes së tarifave dhe masave të reciprocitetit.

Në takim u nënvizua rëndësia e përkushtimit të vazhdueshëm me mirëbesim për të negociuar dhe arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizim.

Kjo është thelbësore në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse Evropiane. Pjesëmarrësit ranë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të respektohen dhe të implementohen.

Pjesëmarrësit u pajtuan për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të Kosovës në bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në implementimin e Planit të Veprimit për zhvillimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor që u miratuan në samitin e Sofjes më 10 nëntor 2020 dhe për vazhdimin e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.

Takimi u kryesua nga Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell. Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Olivér Várhelyi, e përfaqësoi Komisionin Evropian.

Delegacioni i Kosovës u drejtua nga Kryeministri, Avdullah Hoti. Morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe ministrat znj. Meliza Haradinaj-Stublla, Agim Veliu, znj. Hykmete Bajrami, Selim Selimi, Besian Mustafa dhe Vesel Krasniqi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)