25 Prill 2024

Kosova s'duhet nxitohet me paralajmërime për njohje të reja

Prishtinë, 24 shkurt - Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, i drejtuar nga Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, kishte ftuar në mbledhjen e sotme ministrin e Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, për të bashkëbiseduar me të për nivelin e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, për aktivitetet e MPJ-së në planin e njohjeve të reja për Kosovën dhe për vështirësisë me të cilat ballafaqohet koji ministri.


Ministri Hyseni ka theksuar në fillim të fjalës së tij se politika e jashtme e Kosovës, gjatë vitit të kaluar, krahas përpjekjeve për shtimin e njohjeve për Kosovën, ishte përqendruar në argumentimin e ligjshmërisë së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e vlerësuar të suksesshëm këtë veprimtari, e mbështetur fuqimisht nga miqtë e dëshmuar të Kosovës.

 

Ai është shprehur i bindur se pas bërjes publike të qëndrimit të GJND-së (në qershor të këtij viti) do të fillojë një tempo e përshpejtuar e njohjeve të reja për Kosovën, duke theksuar se tashmë ka marrë premtimin për së paku njëzet njohje të reja.


Hyseni në vazhdim e ka quajtur të rëndësishëm numrin e njohjeve për Kosovën edhe për hir të anëtarësimit të vendit në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Ai ka pohuar se institucionet e Kosovës janë në dijeni të një varg veprimesh të regjimit të Serbisë për ta penguar afirmimin ndërkombëtar të Kosovës. 


Prandaj, ka thënë Hyseni, duhet të punojmë shumë seriozisht, të mbështetur edhe nga miqtë tanë, që t’i pamundësojmë këto veprime të Serbisë e të sponsorizuesëve të saj.

 

Gjithsesi, suksesi diplomatik i Kosovës varet shumë edhe nga zhvillimet pozitive në vend, ka thënë Hyseni, i cili është zotuar se MPJ-ja do t’i plotësojë dhe funksionalizojë misionet diplomatike dhe konsullare të Kosovës në vende të ndryshme të botës.

 

Ai ka theksuar se si ministër ka agjendë të ngjeshur të takimeve dhe aktiviteteve, të cilat, për efikasitet të punës, shpeshherë nuk bëhen publike. Në këtë mes, ka pohuar ministri, çështja e liberalizimit të vizave është temë e pakapërcyeshme në të gjitha takimet me përfaqësues të BE-së dhe të vendeve anëtare të saj.


Anëtarët e Komisionit e kanë vlerësuar paraqitjen e ministrit Hyseni në takim, si dhe punën e deritashme të tij dhe të ministrisë, të cilën e drejton, por kanë pasur edhe një varg vërejtjesh dhe sugjerimesh për punë më të suksesshme.

 

Anëtarët e Komisionit, madje edhe nga radhët e pozitës, kanë pasur vërejtje për deklarimet disonante të pjesëtarëve të institucioneve të Kosovës, lidhur me politikat e jashtme të vendit, mosshfrytëzimin e diplomacisë parlamentare për lobim (për njohjet), mofunksionalizimin e duhur të misioneve tona diplomatike dhe kosullare, si dhe raportimin e mangët i tyre për punën që bëjnë etj.


Ministri Hyseni i ka garantuar anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme se Kosova shihet me sy të mirë për qëndrueshmërinë e saj dhe rolin që ka manifestuar për paqen dhe sigurinë në rajon. 

 

Ai ka sugjeruar që të mos nxitohemi me paralajmërime për njohje të reja dhe përmendjen e emrave të përveçëm, në këto raste, sepse ato janë treguar kontraproduktive. Ministri është shprehur i prerë se, në asnjë çast, nuk do të ketë bisedime për çështjen e statusit të Kosovës, qëndrim ky që, siç është shprehur ministri, është ngritur në nivel nacional.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)