20 Prill 2024

Kosova në heshtje zgjedhore

Prishtinë, 10 dhjetor - Pas përfundimit të fushatës zgjedhore 10 ditore, Kosova është në heshtje politike për t’ia lënë qytetarëve fjalën ditën e dielë.

Dita e premte i dha fund fushatës së nisur më 1 dhjetor, periudhë në të cilën partitë dhe subjektet e tjera politike shpalosën para elektoratit kosovar programet e tyre për qeverisjen e vendit.

“Demokracia në Veprim”, e cila ngarkoi vëzhgues për mbikqyrjen e fushatës elektorale dhe të gjithë proçesit zgjedhor, përfshirë edhe ditën e votimit, komunikoi ditën e premte se fushata elektorale në Kosovë ishte një proçes i qetë, korrekt e demokratik.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, thotë se çdo gjë është gati që ditën e diel të hapen qendrat e votimit. Votime do të zhvillohen edhe në veri të Kosovës, edhe pas incidentit të vrasjes së një tutori të komisionit zonal.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me anë të kryetares, Valdete Daka njoftoi se ka gati të gjithë materialin e nevojshëm për mbarëvajtjen e proçesit. Daka tha se materialet do të nisin të shpërndahen ditën e shtunë dhe në orët e para të ditës së dielë.

Në bazë të ligjit të zgjedhjeve, i gjithë territori i Kosovës llogaritet vetëm një zonë zgjedhore, do të përdoret sistemi proporcional, ku për 120 vendet e parlamentit garojnë 1265 kandidatë. Në bazë të Kushtetutës, 20 vende në parlament janë të rezervuara për pakicat, dhjetë nga to vetëm për pakicën serbe.

Organet e rendit në Kosovë tashmë kanë finalizuar planin operacional për sigurinë gjatë ditës së zgjedhjeve. E angazhuar në ditën e zgjedhjeve, do të jetë vetëm policia e Kosovës me mbi gjashtë mijë policë, mirëpo, ata do të mbështeten në rast nevoje edhe nga policia e misionit.

\"Sa i përket veriut të Kosovës kjo varet nga vlerësimet në ditën e zgjedhjeve, mirëpo, padyshim se policia do të ketë një fokus më të shtuar në veri. Deri tash të gjitha vlerësimet janë bërë në nivel të drejtorive rajonale dhe për planet e veçanta, që përfshijnë edhe angazhimin e policëve për ditën e zgjedhjeve janë përgjegjëse këto drejtori rajonale\", thotë zëdhënësi i policisë Baki Kelani.

Zyrtarë të KQZ-së thonë, se megjithë kundërshtimin e disa përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës edhe në këtë pjesë të banuar më shumicë serbe, do të hapen qendrat e votimit, sikundër do të jenë të angazhuara edhe qendrat mobile të votimit për t\'u mundësuar qytetarëve që të votojnë.

Zgjedhjet e përgjithshme të jashtzakonshme të 12 dhjetorit në Kosovë organizohen për herë të pas shpalljes së pavarësisë. Ato do të vëzhgohen nga rreth 32 mijë vëzhgues, mirëpo shumica e tyre janë vëzhgues vendas.

Nga radhët e organizatave ndërkombëtare do të jenë rreth 500 vëzhgues, ndërsa, 350 vëzhgues do të jenë nga ambasadat në Kosovë të vendeve, që e kanë njohur pavarësinë.

Prania ndërkombëtare në Kosovë, përkatësisht përfaqësuesit e vendeve më të industrializuara, janë shprehur optimist për një proces të rregullt zgjedhor, duke kërkuar nga qytetarët e Kosovës që ta vazhdojnë, siç shprehen ata, traditën e mbajtjes së zgjedhjeve demokratike konform standardeve ndërkombëtare. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)