13 Korrik 2020

Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja dhe vetëm kjo është rruga e daljes nga kriza

Prishtinë, 30 maj - 100 ditëshi i Qeverisë Kurti, proceset zhvillimore e shtetndërtuese dhe ç’ kapja e shtetit e shtyri regjimin e vjetër të përdorë çdo mjet për t’u rikthyer.

Ata morën edhe mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese, por ne nuk do të qëndrojmë duarkryq dhe do ta mbrojmë vullnetin për ndryshim që u shpreh me 6 tetor.

Hapi i parë do të jetë organizimi i një peticioni ‘online’ ku kërkojmë zgjedhje të reja, thanë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! sot në konferencë për media.

Sekretarja Organizative e Lëvizjes, Vlora Haxhimehmedi duke komentuar mbi sondazhin e UNDP-së, që e nxori kryeministrin Kurti me 65.4% mbështetje popullore, tha se kjo nuk është e rastësishme, ngase puna e mirë e Qeverisë Kurti në kohë pandemie ku qytetarët ishin në hall si nga virusi ashtu edhe nga vështirësitë ekonomike, ua ktheu atyre shpresën dhe besimin në institucione.

Ky besim që u ndërtua për 100 ditë, duke e zëvendësuar njeriun lojal dhe servil me njeriun e ndershëm dhe me kompetencë dha sinjalin që mund të punohet për të mirë, mund t’iu rikthehet vlera ndërmarrjeve dhe mund t’iu besohet institucioneve tona, andaj edhe të vjetrit u mobilizuan që ta ndalojnë një ndryshim të tillë, tha ajo duke nënvizuar se e vetmja qeveri me legjitimitet të plotë është ajo që qeveri që del nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Deputeti Liburn Aliu ritheksoi se me 6 tetor qytetarët u deklaruan në mënyrë plebishitare që të vjetrit të shkojnë në opozitë dhe politika e re të qeverisë.

"Sondazhet po e konfirmojnë këtë, populli e do ndryshimin dhe jo vazhdimin e keqqeverisjes andaj ne si Vetëvendosje ju garantojmë se çka dëshiron populli, ajo do të bëhet", tha ai.

“Ne dëshmuam se mund të qeveriset pa korrupsion dhe me dinjitet. Që Kosova mund të sillet si shtet i qytetarëve brenda dhe si shtet normal e me dinjitet në arenën ndërkombëtare."

"Por këto dëshmi, politika e vjetër po provon t’i sulmoj dhe po gjen aleancë edhe te institucionet tjera që po provojnë t’i ndryshojnë rregullat e lojës. Kjo është e papranueshme. Vullneti qytetar, demokracia, e drejta e votës dhe Kushtetuta e vendit nuk mund të shkelen.”

Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja dhe vetëm kjo është rruga e daljes nga kjo gjendje.

“Zgjedhjet janë mënyra e vetme e marrjes së një legjitimiteti të ri. Le të garojmë në zgjedhje dhe populli të vendosë se ç ‘lloj shteti e qeverisje dëshiron. Andaj në këto rrethana të krijuara hapi ynë i parë do të jetë mbledhja e nënshkrimeve nga qytetarët e Republikës në peticionin që do ta mbajmë këto ditë me të vetmen kërkesë zgjedhjet e reja”, tha ai.

Jo qeveri pa zgjedhje e për vjedhje. Jo qeveri për ndarje e copëtim. Por zgjedhje, demokraci e zhvillim. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Korrik 2020 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e hap fushatën e korrje-shirjeve. (Fushata e korrje-shirjeve nis në mes të fshatave, Livoq i Poshtëm dhe Velekincë, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt do të vizitojë kompaninë “SOWI KOSOVA” në Bajgorë të Komunës së Mitrovicës. (Bajgorë - Mitrovicë, ora 11:00)

- Vazhdon seanca plenare e Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. (Salla e Kuvendit, ora 14:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti raporton në Kuvendin e Kosovës lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. (Salla e Kuvendit, ora 16:00)