01 Korrik 2022

Kosova, faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan

Washington, D.C, 20 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Washington, D.C. ka takuar kongresistin Brad Schneider.

Në takim është biseduar për të arriturat gjatë qeverisjes njëvjeçare, stabilitetin institucional dhe angazhimin për të krijuar klimë të sigurt për investime në Kosovë.

Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova është vend i përshtatshëm për investime meqenëse ka qeverisje demokratike, është e para sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, sa i përket korrupsionit ka lëvizur lart për të mirë në 17 vende sipas Transparency International, ndërkaq sipas Reporterëve pa Kufij po ashtu 17 vende më lartë sa i përket lirisë së mediave. 

Prandaj, edhe qëllimi i vizitës në ShBA është që të ftojë ndërmarrjet dhe investitorët për sa më shumë investime në Kosovë dhe sa më shumë siguri për Kosovën, ka shtuar ai.

Kryeministri Kurti ka thënë se invazioni dhe agresioni në Ukrainë, si dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj, siç është Serbia, kërkojnë vëmendje më të shtuar për sigurinë në Kosovë dhe në rajon.

Duke shprehur mirënjohje për kontributin që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova është faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan, ndërsa integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian është alternativa e vetme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 korrik 2022 - Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri mban Konferencë për media. (Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, ora 9:30)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremonin e diplomimit të kadetëve të Gjeneratës 2022 të Akademisë së Mbrojtjes - Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”. (Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Nën organizimin e Federatës Sindikale te Sektorit Privat te Kosovës shoqata e autobusëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë do të protestojnë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për mos krijimin e kushteve për punë. (Para Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)

- Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale mban konferencën me temën “Ndikimi i ndryshimeve të Kuvendeve Komunale në kualitetin e politikave lokale” ku do të prezantohet hulumtimi mbi pasqyrimin e përbërjes së Kuvendeve Komunale. (Hotel Sirius, nga ora 10:00)

-OJQ AKTIV dhe platforma OPEN organizon prezantimin e rezultateve të hulumtimit “Regjistrimi i popullsisë nga këndvështrimi i komunitetit serb në Kosovës”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 voton listën e dëshmitareve qe do të ftohen për intervistim si dhe shqyrton CV-te për angazhim të eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)