25 Prill 2024

Kosova do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme të BE-së

Prishtinë, 12 maj – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot në një takim të dërguarin special të Bashkimit Evropian për Kosovë, Fernando Gentilini.

Kryetari Krasniqi, pasi e ka uruar z. Gentilini për detyrën e re në Kosovë, e ka njoftuar atë për të arriturat në Kosovë dhe ka bërë një ekspoze të punës së Kuvendit.

Kreu i legjislativit ka folur për procesin e integrimit evropian të Kosovës, si e vetmja rrugë për shtetin e Kosovës, si dhe ka potencuar nevojën për liberalizimin e vizave.

Mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së, Krasniqi e ka cilësuar si pengesë në rrugën e integrimit euro-atlantik të vendit.

Kryetari i Kuvendit e vuri theksin edhe te problemet që Kosova ka në veriun e saj dhe mbështetjen që Beogradi i jep atje krimit të organizuar.

Përkitazi me këtë, Krasniqi vuri në dukje vendosmërinë e institucioneve të vendit për ta luftuar krimin në të gjithë hapësirën e Kosovës.    

Gjatë takimit u fol edhe rreth dialogut teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, nga i cili, siç u tha, duhet të rezultojnë zgjidhje evropiane.

I dërguari special i BE-së Kosovë, Gentilini, e falënderoi kryetarin Krasniqi për pritjen dhe e përgëzoi atë për punën që është bërë në Kuvendin e Kosovës.

Ai theksoi se Kosova do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të ardhmen evropiane të saj, duke potencuar, gjithashtu, se edhe liberalizimi i vizave është në agjendën e BE-së.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)