24 Maj 2019

Kosova dhe Serbia larg normalizimit të marrëdhënieve

Prishtinë 19 prill - Gjashtë vite pas arritjes së Marrëveshjes së Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se mungesa e zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve. 

Kjo marrëveshje, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe e nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor të vitit 2013 si marrëveshje ndërkombëtare. Kjo është e para dhe e vetmja marrëveshje e ratifikuar në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E njëjta nuk është ratifikuar nga Kuvendi i Serbisë. 

Madje, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e kishte cilësuar Marrëveshjen e Brukselit si çështje politike dhe jo ligjore, andaj edhe kishte refuzuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së saj.

Marrëveshja “historike” ishte një tentativë e BE-së për zgjidhjen e problemeve midis dy shteteve, ndërsa 15 pikat e saj synonin rregullimin e çështjeve që ndërlidhen me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, integrimin e strukturave të sigurisë dhe atyre të drejtësisë, organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës, energjinë, telekomunikacionin dhe rrugëtimet përkatëse evropiane.

Problematikat të cilat kanë shoqëruar zbatimin e Marrëveshjes për Normalizim të Marrëdhënieve, por edhe shumicën e marrëveshjeve pasuese, janë:
 

1. Ambiguiteti konstruktiv – Marrëveshjet përmbajnë dykuptimësi që krijojnë hapësirë për interpretimin të ndryshëm mbi aspekte të caktuara të obligimeve të parapara mes palëve. Në mungesë të një interpretimi objektiv të marrëveshjes nga ana e BE-së, palët kanë shfrytëzuar hapësirën e interpretimit të njëanshëm të marrëveshjes, duke zgjedhur mënyrën e (mos)zbatimit të saj; 


2. Mungesa e mekanizmave garantues dhe mbikëqyrës – Fokusi i BE-së ka qenë i orientuar në lehtësimin e arritjes së marrëveshjeve mes palëve, por jo në garantimin e zbatimit të tyre. Kjo është reflektuar edhe në Strategjinë për Zgjerim të Komisionit Evropian të vitit 2018, ku adresohet nevoja e arritjes së marrëveshjeve, pa u vënë theks edhe tek zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani. Si palë lehtësuese e dialogut, BE-ja nuk ka arritur të detyrojë palët që të zbatojnë marrëveshjet në afatet e përcaktuara kohore. Si pasojë e kësaj, zbatimi i marrëveshjeve ka mbetur në diskrecionin e Kosovës dhe Serbisë, që në mungesë të mekanizmave detyrues, kanë shtyrë zbatimin e marrëveshjeve apo dhe nuk i kanë zbatuar fare ato. Si rezultat i vonesave në zbatimin e tyre, pjesë të caktuara të marrëveshjeve edhe janë rinegociuar; 


3. Mungesa e vullnetit politik – Si një proces i ndjeshëm politik, mungesa e vullnetit politik që shoqëroi procesin e dialogut mund të vlerësohet në dy nivele: në nivel të brendshëm dhe atë bilateral. Në nivelin e brendshëm, zhvillimet politike dhe shoqërore brenda dy shteteve ndikuan në nivel të ulët të zbatimit të marrëveshjeve. Në nivelin bilateral në mes dy shteteve, implikimet politike të cilat derivojnë nga zbatimi i marrëveshjes, që ishin përtej aspektit teknik, ndikuan që palët, sidomos Serbia, të hezitojë të zbatojë marrëveshjet; 


4. Mungesa e transparencës – ka shoqëruar procesin e dialogut që nga fillimi i tij. Kjo ka ndikuar në uljen e besueshmërisë qytetare ndaj procesit, por edhe në pamundësimin e bashkërendimit institucional dhe mbështetjes politike lidhur me tema të ndryshme që janë diskutuar; 


Marrë në konsideratë problemet e lartpërmendura, por edhe zhvillimet aktuale që ndërlidhen me fazën përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ofron rekomandimet si në vijim: 


1. Marrëveshja përfundimtare nuk duhet të shkruhet në frymë ambiguiteti – andaj duhet që në mënyrë të qartë të përcaktojë ruajtjen e shtetësisë së Kosovës, përfshirë çështjet që ndërlidhen me integritetin territorial, funksionimin unitar kushtetues të Kosovës, si dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës; 


2. Konsensusi i gjerë politik – Delegacioni Shtetëror, i krijuar për të përfaqësuar Kosovën në fazën përmbyllëse të dialogut, nuk ka gjetur përkrahje të gjerë në mesin e spektrit politik. Arritja e konsensusit të gjerë politik rreth kësaj faze është kyçe para arritjes së një marrëveshje eventuale; 


3. Proces transparent – Institucionet e Kosovës, përfshirë grupin negociator, duhet të garantojnë transparencë të procesit, duke mbajtur të informuar Kuvendin, shoqërinë civile dhe qytetarët për të gjitha zhvillimet që ndërlidhen me procesin e dialogut; 


4. Garancitë për zbatimin e marrëveshjeve – Bashkimi Evropian dhe SHBA duhet të kenë rol garantues të marrëveshjes eventuale mes palëve; 


5. Afatet e zbatimit të marrëveshjes – Marrëveshja eventuale duhet të ketë afate strikte të zbatimit, si dhe masa ndëshkuese për palët mos zbatuese; 


6. Marrëveshja duhet të regjistrohet në Sekretariatin e OKB-së – Marrëveshja potenciale, përveç që duhet të ratifikohet nga parlamentet e të dy vendeve, duhet gjithashtu të regjistrohet në Sekretariatin e OKB-së (UNTC) si marrëveshje ndërkombëtare, duke evituar interpretimet e ndryshme të palëve mbi natyrën e saj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2019 - Nisin punimet për rregullimin e rrugës kryesoret të qytetit të Deçanit Rrugës së  Qendrës konkretisht rrugës 'Luan Haradinaj' dhe 'Dëshmoret e Kombit'. (Në afërsi të pikës së karburantit Agonisi Gas në Carrabreg, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit të Auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike për vitin 2017. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrugës së qytetit të Deçanit. (Sheshi i qytetit në Deçan, ora 10:00)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike i USAID-it në Kosovë, Brian Martalus, do të mbajë një fjalim në hapjen e Konferencës Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa - B2B. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- “Let’s Do It” mban aksion pastrimi në disa fshatra të Hasit, me moton “Për një Has të pastër”. (Fshati Gjonaj tek Ura e Drinit të Bardhë, ora 10:00)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e prezantimit të gjashtë video udhëzuesve për e-prokurim. (Hoteli Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilën do të behët shqyrtimi i kërkesës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike për pjesëmarrje në Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. (Kompleksi Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të shënojnë së bashku Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim me një konferencë shtypi. (Ambientet e UNDP-së, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Fshatin Kodrali. (Fshati Kodrali, ora 11:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Abdullah Tahiri. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 12:00)

- Prokuroria Themelore e Pejës organizon konferencën për media ku temë diskutimi do jetë ngritja e dhjetëra aktakuzave për rastin e njohur në opinionin publik si “veteranët e rrejshëm”. (Objekti i Prokurorisë Themelore të Pejës, rruga “Hasan Cermaxhija”. ora 12:00)

- 44 nxënës nga klasa 7 deri në klasën 9, nga të gjitha regjionet e Kosovës do të takohen për të garuar në finalen e garës së tretë vjetore të gërmëzimit.  (Biblioteka kombëtare, ora 13:15)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes  së çmimeve “Nikete Dardani”. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, ora 13:30)

- Rinia Demokratike e Kosovës, mban aktivitet në Prizren, te Komuna, lidhur me qeverisjen lokale në Prizren dhe kundër korrupsionit si dukuri negative. (Te Komuna, Prizren, ora 14:00)

 - Shënohet 19 vjetori i themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë. (Pallati i Kulturës” Asim Vokshi” , Gjakovë, ora 18:00)

- Organizuar nga Ministria e Diaspores dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbahet konferenca ekonomike e diasporës shqiptare nga Evropa më B2B. (Hotel Emerald, ora 20:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Konferencën Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa, organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare. (Hotel Emerald, ora 20:00)