13 Prill 2021

Komunat përmbushin vetëm 47 për qind të premtimeve

Prishtinë, 4 mars - Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” vlerësimin më të fundit rreth përmbushjes së premtimeve të kryetarëve të komunave nga zgjedhjet lokale 2017. Ky monitorim përfshinë realizimin e premtimeve deri në dhjetor 2020.

Nga gjithsej 869 premtime të evidentuara nga Instituti GAP në 25 komuna të ndryshme të Kosovës, deri në muajin dhjetor 2020 janë përmbushur 411 premtime, 186 premtime janë realizuar pjesërisht, 158 premtime kanë filluar të përmbushen,  ndërsa për 114 premtime nuk është evidentuar ndonjë nismë në përmbushjen e tyre.

Shikuar sipas përqindjes, nga 869 premtimet e dhëna, deri në dhjetor të 2020 janë përmbushur vetëm 47% e premtimeve.

Pjesa më e madhe e premtimeve janë përmbushur në fushën e mirëqenies sociale 74%, pastaj rënditen fusha e administratës 58%, në fushën e ekonomisë 57%, në fushën e bujqësisë 56%, në fushën e shëndetësisë 50%, në fushën e shërbimeve publike 47% dhe në fushën e infrastrukturës 45%.  

Fusha ku më së paku janë përmbushur premtimet janë fusha e urbanizimit, arsimit dhe ajo e kulturës.

Komunat që nuk është përfshirë kësaj here në përditësim është ajo e Podujevës ku në fund të nëntorit të 2020 janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune.

GAP ka monitoruar premtimet e kandidatëve për kryetar komune dhe ka evidentuar se kryetari aktual i kësaj komune ka dhënë 44 premtime në fusha të ndryshme.

Instituti GAP bën monitorimin e përmbushjes së premtimeve në 26 nga 38 komunat, ngase  12 nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore më 2017 (Skenderaj, Mamusha dhe komunat me shumicë serbe).

Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna. Vlerësimi i premtimeve bëhet në mënyrë periodike përmes bashkëpunimit me organizatat lokale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Prill 2021

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në të cilën do të behët konstituimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Basri Maksuti për vepren penale 'Falsifikimi i rezultateve të votimit'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media në të cilën do të behët konstituimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Konstituohet Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Rolling Film Festivali i cili organizohet nga OJQ Roma Versitas Kosovo dhe Romawood mban konferencën për media. (Kino Armata, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Shëndetësi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Fondi i Sfidave të Kosovës organizon eventin online për shpalljen e thirrjes së parë për shprehje interesi, në mbështetje të projekteve të trajnimit bashkëpunues. (Platforma Zoom, ora 11:00)

- Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 11:30)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis dhe Infrastrukturë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Partia Liberale Egjiptiane do të dorëzojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me te drejtën e tyre të mohuar nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme në lidhje orkestrimin e votave nga ana e “Romani Iniciativa” në vendbanime me shumicë të komunitetit Serb në zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit. (Gjykata Kushtetuese, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban konferencën për media lidhur me një studim hulumtues për qytetarët kosovar që vizituan Shqipërin dhe Malin e Zi, si pasojë e kufizimit dhe mbylljes në Kosovë e që këto patën pasoja ekonomike dhe financiare për vendin tonë. (Zyret e AKB-së, ora 13:30)