18 Prill 2024

KMDLNJ: Pezullimi i punonjësit të EULEX-it, shmangie e drejtësisë

Prishtinë, 18 prill - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë disa herë ka tërhequr vërejtjen e paprekshmërisë së të punësuarve në misionet e huaja në Kosovë.

Rasti i fundit, sipas këtij këshilli, është ai i të punësuarit në misionin EULEX që po dëshmon edhe njëherë që imuniteti karshi ligjeve në Kosovë ka krijuar mundësi të tillë si rasti në fjalë.

“KMDLNj konsideron se masa e pezullimit për punonjësin e EULEX është e pamjaftueshme. Një masë e tillë është një mesazh i keq për qytetarin e Kosovës. Arsyetimi që EULEX ka dhënë në mediat e Kosovës që “pezullimi është bërë për arsye sigurie” është edhe ofendim shtesë për qytetarin. Kjo do të thotë që nëse nuk do të ishte për çështje sigurie të pjesëtarëve të misionit atëherë kur rasti do të mbyllej”, thuhet në reagim të KMDLNJ-së.

Raste të ngjashme të shkeljeve, sipas KMDLNj, ka pasur edhe në misionin e UNMIK dhe të KFOR por që janë mbyllur apo fshehur nga këto struktura.

“Të punësuarit ndërkombëtarë në misionet si UNMIK, EULEX, KFOR etj kanë shfrytëzuar më të madhe gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarit të Kosovës. Kështu, të punësuarve në këto misione u janë shkel të drejtat duke u pamundësuar edhe shprehjen e lirë duke i kërcënuar me vende pune nëse ata raportojnë rastet abuzive”, theksohet në reagim.

Sipas KMDLNj, kërcënimi se nëse raportojnë rastet me humbjen e vendeve të punës është shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“KMDLNj mendon se fyerja për punonjësit shqiptarë, ndjenjën e tyre kombëtare, fetare, simbolet kombëtare e veçmas flamurin nuk është abuzim i thjeshtë. Një gjë e tillë është racizëm i pastër”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Ndërkaq, ky këshill mendon se është e pamjaftueshme që rasti të hetohet vetëm nga strukturat administrative të EULEX. “Nëse jo ndonjë komision i pavarur hetues, atëherë ky hetim është dhe duhet të jetë përgjegjësi e prokurorëve të EULEX dhe të Kosovës. Racizmi është vepër e rëndë penale dhe nuk është shkelje administrative. Një akt i tillë duhet hetuar deri në fund dhe hetimi të jetë transparent”, theksojnë në KMDLNJ.

Me këtë reagim, KMDLNj ka shtruar edhe njëherë nevojën e heqjes së imunitetit të punësuarve në këto misione, pasi që, sipas tyre, “një akt i tillë do të mundësonte trajtim të barabartë para drejtësisë, pa marrë parasysh pozitën dhe misionin”.

KMDLNJ, ndërkaq, ka reaguar edhe ndaj metodës së vrasjes së qenve endacakë në Prishtinë, duke e cilësuar atë si të papranueshme.

“Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë është shumë i shqetësuar me skenat dhe mënyrën e vrasjeve të qenve endacakë në qytetin e Prishtinës. Skenat e vrasjeve të qenve endacakë në qytetin e Prishtinës janë të papranueshme, si në aspektin e mënyrës si bëhet kjo ashtu edhe në aspektin si bëhet pastaj bartja e qenve të vrarë”, thuhet në reagim, duke shtuar se këto skena janë irrituese dhe tmerruese.

Sipas këtij këshilli, kjo mënyrë e zgjedhur për të eliminuar qentë endacakë nuk është e përshtatshme dhe ndikon direkt në psikologjinë e publikut. “Ato përçojnë një mesazh shumë të keq për publikun që i ka parë ato skena në televizion”.

KMDLNj mendon se organet përgjegjëse të komunës duhet të tregohen më të kujdesshëm kur ndërmarrin aksione të tillë. “Agjencioni veterinar duhet të gjejë mënyra tjera për të eliminuar qentë endacak duke u mbështetur në përvojat e shteteve të tjera që eliminimin e qenve endacakë e bëjnë larg syve të opinionit dhe me mjete të lejuara”, theksohet më tutje në reagim.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)