22 Tetor 2019

KFOS promovon publikimin “Njohja e Kosovës bashkëkohore”

Prishtinë, 18 shtator - Europa është duke kaluar një periudhë të trazirave dhe ndryshimeve, në të cilën konstantet politike, siç është premtimi i Selanikut për integrimin e tërësishëm të Ballkanit Perëndimor në BE, janë duke u vënë në pikëpyetje në vazhdimësi.

Në këtë periudhë fluksi dhe përplot pasiguri, projekti i  Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur “Ndërtimi i njohurive për Kosovën'' vazhdon punën e vet produktive duke e zgjëruar rrjetin e hulumtuesve të rinj dhe ata me përvojë të cilët merren me çështjet aktuale në Kosovë.

Si përgjigje ndaj sfidave që ballafaqojnë Kosovën dhe vendet tjera, KFOS organizon promovimin e publikimeve dhe panel diskutimin “Njohja e Kosovës bashkëkohore” që do të mbahet sot në Prishtinë.

Me këtë rast, projekti “Ndërtimi i njohurive për Kosovën” do të prezantojë dy botime kyçe të gjeneratës së dytë të hulumtuesve:

Librin përmbledhës 'Përcaktuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të shtetësisë së Kosovës) të redaktuar nga Ioannis Armakolas, Agon Demjaha, Arlda Elbasani dhe Stephanie Schwandner-Sievers, që paraqet një hyrje të mprehtë në disa nga dimenzionet më sfiduese lokale dhe ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës, dhe prezenton hulumtime dhe analiza origjinale nga ekspertë nga gjithdanej Europa - prej Spanjës deri tek Romania, nga Maqedonia e deri tek Shqipëria.

Dhe broshurën “Opinione mbi sfidat politike të Kosovës'', e redaktuar nga Lura Limani dhe Ioannis Armakolas, dhe e cila përmban një përmbledhje të disa prej kolumneve dhe analizave të shkurta të shkruara nga hulumtuesit  (gjenerata e dytë) dhe të botuara nga medie europiane me influencë të gjërë.

Këto dy botime do të diskutohen nga një panel ekspertësh që përbëhet nga redaktorët dhe autorët e librit.

Moderuar nga Ioannis Armakolas, bashkë-redaktor i botimit dhe profesor asistent në Universitetin e Maqedonisë në Selanik, paneli do të përfshijë: Agon Demjahën, bashkë-redaktor i librit dhe profesor i asociuar në Universitetin Shtetëror të Tettovës; Pol Vila Sarria, asistent projekti pranë Trans European Policy Studies Association (TEPSA) në Bruksel; dhe Zoran Nechev, udhëheqës i Qendrës për Integrime në BE pranë Institutit për Demokraci ‘Societas Civilis’ në Shkup.

Komentuese e librit: Miruna Troncota, ligjëruese, hulumtuese dhe drejtore e Qendrës për Studime Europiane pranë Universitetit Kombëtar për Shkenca Politike dhe Administratë Publike (SNSPA), Rumani. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 tetor 2019 - Me rastin e 30 vjetorit të rënies së komunizmit, Instituti Shkencor Kosovaro-Suedez do të organizojë konferencën shkencore ndërkombëtare me titull '30-vjetori i rënies së sistemit komunist'. (Hoteli Sirius, ora 9:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit mbahet dita e dytë e “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit” me ç‘rast do të organizohet konferencë per koordinimin ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore si dhe sfidat në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike pranë misionit të USAID-it në Kosovë, Matthew Cullinane, do të flasë në hapjen e Konventës së tretë vjetore të Industrisë së Veshmbathjeve në Kosovë. (Hoteli Emerald, ora 10:00)

- Punëtorët teknik të Fakulteteve të UP-së “Hasan Prishtina” në Prishtinë, do të protestojnë para Rektoratit të UP-së. (Para Rektorati, ora 10:00)

- Nën patronatin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri do të mbahet Panairi i Sportit me të gjitha klubet sportive të qytetit të Mitrovicës. (Sheshi “Isa Boletini” në Mitrovicë, ora 10:00)

- Dega e Alternatives në Gjakovë mban konferencë për media. (Zyrët e Alternativës në Çarshinë e Jupave në Gjakovë, ora 11:00)

- Bëhet promovimi i librit “Gjinekologjia me obstetrikë  për infermieri dhe mami” me autore Prof. dr. Myrvete Paçarada dhe bashkautorë  Ass. dr. Vlora Ademi Ibishi dhe Ass. dr. Nyltene Kongjeli. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)

- Më rastin e Ditës Boterore të Energjisë, Instituti për Politika Zhvillimore mban konferencë për media me temë 'Cilat duhet të jenë prioritete e qeverisë së re në sektorin e energjisë në Kosovë?  - Rekomandime dhe propozime nga shoqëria civile'. (Zyrët e Resource Center (Lagjja Pejton, Rr. Pashko Vasa, nr. 1, përballë Hotel Royal, ora 13:00)

- Këshilli Prokurorial i Kosovës mban takimin e 173-të. (Objekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 13:30)

- ETEA organizon premierën e shfaqjes “Muret Flasin” që i dedikohet përkujtimit të organizimit të arsimit paralel gjatë viteve të '90-ta. (Shtëpia - shkollë “Sami Frashëri” e familjes Aliu - Hertica, ora 20:00)