21 Mars 2019

Kërkohet trajtim i barabartë për Kosovën dhe liberalizim të vizave

Sofje, 17 maj - Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në hapjen e punimeve të Seancës Plenare të Samitit të Sofjes, ku u trajtua tema "Fuqizimi i të gjithë dimensioneve të ndërlidhjes (socio-ekonomike, fizike, digjitale dhe njerëzore)", ka thënë se ky samit po zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ky samit midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është një sukses i jashtëzakonshëm i përbashkët, por në veçanti i nikoqirëve tanë, presidencës bullgare. Suksesi i këtij samiti bazohet në ruajtjen e angazhimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, si dhe mbështetet në parimin e rëndësishëm sipas të cilit i gjithë Ballkani Perëndimor gëzon një perspektivë evropiane”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se kjo përfshinë strategjinë e muajit shkurt të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe angazhimin tonë përmes nismave të shumta, në mesin e tyre edhe Procesi i Berlinit, agjenda e ndërlidhjes dhe Plani shumëvjeçar i Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, si dhe forume të tjera që synojnë t’i afrojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor me njëra-tjetrën dhe më pranë Bashkimit Evropian.

“Kam kënaqësinë që gjithashtu personalisht të konfirmoj mbështetjen e Kosovës për përmbajtjen e deklaratës së këtij samiti dhe të agjendës prioritare të Sofjes. Ne i mbështesim plotësisht parimet kyçe të bashkëpunimit të forcuar, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nevojës për zgjidhje të qëndrueshme dhe të detyrueshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe”, ka thënë presidenti Thaçi.

Para liderëve evropianë e ballkanikë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është dhe do të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre qëllimeve, duke përfshirë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është e gatshme të hyjë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin. Më lejoni të theksoj nevojën për rregulla të barabarta të lojës tani që po lëvizim drejt zbatimit të mëtejshëm të temave që po diskutojmë në këtë samit, dhe në rastin e Kosovës kjo përfshin një përmbyllje të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për të cilin Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret e kërkuara”, tha ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se nëse vërtet duam një ndikim të qëndrueshëm në afrimin e rajonit, kjo duhet të nënkuptojë edhe heqjen e barrierave të ndryshme të pranishme aktualisht.

Kjo përfshin, por nuk kufizohet, sipas presidentit Thaçi, në njohjen e kualifikimeve, certifikatave dhe dokumenteve të tjera, uljen e kohës së pritjes në kufi, ndërveprimin në fushën e energjisë, sigurimin e lirisë së lëvizjes për njerëzit brenda rajonit duke hequr vizat, por edhe jetësimin e zotimeve të tjera që kemi dhënë më parë si rajon.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 mars 2019 - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, do të jetë nikoqir i homologut të tij nga Mali i Zi, Srdjan Darmanoviq. (Ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ora 8:50)

- Përurohem hapësirat e reja të Shoqatës Down Syndrome Kosova qendra në Prishtinë. (Qyteza Pejton Lokalet e NPB-së, ora 9:00)

- Institucioni i Avokatit të Popullit organizon tryezën me temë"Përgjegjësia juridike e shtetit për shkeljet e të drejtave të njeriut". (Institucioni i Avokatit të Popullit, ora 9:30)

- Instituti Demokraci për Zhvillim  organizon diskutim me rastin e publikimit të dokumentit të politikave “Matja dhe vlerësimi i politikave të riintegrimit”, (Hotel Sirius, ora 9:45)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi do të takohet me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ku do të diskutojë për hartat zonale, krijimin e zonave të gjelbra, veturat elektrike, policia mjedisore si dhe tema të tjera mes dy institucioneve. (Kabineti i Ministrit Matoshi, ora 10:00)

- Mbahet konferenca e përbashkët për media e Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhe ministrit të jashtëm të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq. (Ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ora 10:00)

Shoqata Down Syndrome Kosova organizon konferencen “Aftësia e Kufizuar Intelektuale në Kosovë”. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- Qendra Mediale në Çagllavicë organizon debatin publik me temë "Platforma e Kosovës për dialog - realiteti apo fundi i dialogut?". (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 10:30)

- SHL-Kosova themelon Rjetin e Qendrave Rinore të Kosovës ku edhe mban Kuvendin për zgjedhjen e Bordeve të këtij Rjeti. (Zyra e KDI-së, ora 11:00)

- Oda e Afarizmit të Kosovës organizon konferencë për media për Ligjin e Punës.  (Zyret e OAK-së, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flasin deputetët Glauk Konjufca dhe Arbërie Nagavci. (Holli i Kuvendit, ora 12:00)

- Ministri Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të vizitoi Termocentralin Kosova B lidhur me prezantimin e fillimit të investimeve madhore mjedisore në Termocentralin Kosova B, nga ana e menaxhmentit të KEK-ut. (Termocentrali Kosova B në Obiliq, ora 13:00)

- Partia Socialdemokrate mbanë koferencë për media. (Selia Qendrore e PSD-së, në lagjen Arbëria.  ora 14:00)