18 Prill 2024

Kërkohet përshpejtimi i shqyrtimit dhe i procedimit të projektligjeve

Prishtinë, 16 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e komisioneve dhe kryetarët e grupeve parlamentare për të biseduar lidhur me përshpejtimin  e shqyrtimit dhe të procedimit të projektligjeve nga komisionet parlamentare, për  miratim në Kuvend.

Krasniqi ka vënë në pah se në procedurë të shqyrtimit në komisione parlamentare janë 13 projektligje, të miratuara në parim, dhe 3 projektligje që presin për shqyrtim të parë.

Në ndërkohë, ka thënë ai, më 13 maj 2011, janë proceduar nga Qeveria në Kuvend  edhe pesë projektligje, duke theksuar se tetë projektligje që janë në procedurën e shqyrtimit, janë me prioritet dhe ndikojnë në përmirësimin e mjedisit biznesor në Kosovë. 

Kreu i kuvendit ka pohuar se kryeministri i Republikës së Kosovës,  Hashim Thaçi, përmes shkresës që u është shpërndarë deputetëve, më 27 prill 2001, ka kërkuar që këto projektligje të trajtohen me prioritet dhe të përshpejtohet miratimi i tyre. 

Krasniqi ka specifikuar se projektligjet e ndërlidhura me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën dhe Planin e veprimit të Kuvendit për integrime evropiane, për vitin 2011, që janë në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare dhe që duhet të miratohen deri me 30 qershor 2011 janë:

Projektligji për Këshillin Ekonomik-Social, Projektligji për organizmin sindikal në Kosovë, Projektligji për efiçiencën e energjisë, Projektligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe Projektligji për gjendjen civile.

Prandaj ka theksuar kreu i legjislativit të vendit kërkohet një angazhim me i madh i komisioneve parlamentare për përshpejtimin e  shqyrtimit dhe të procedimit të projektligjeve, për  miratim në Kuvend.

Ai është ndalur sidomos tek procedura e përshpejtuar e amendamentimit të projektligjeve pas shqyrtimit të parë, në mënyrë që të kapen limitet kohore për miratim, konform Rregullores së Kuvendit.

Kryetarët e komisioneve duke raportuar për gjendjen e projektligjeve në procedurat e shqyrtimit tek komisionet që i drejtojnë, kanë premtuar punë efektive për shqyrtim me kohë të projektligjeve që u arrijnë nga Qeveria e Kosovës dhe sponzorues të tjerë, që i parasheh ligji.

Në një pjesë të takimit me kryetarët e komisioneve dhe me kryetarët e grupeve parlamentare është biseduar edhe për punët e kryera deri më tash për hartimin e Rregullores së re të Kuvendit, që do t’i shërbente kësaj legjislature.

Nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Behar Selimi, ka premtuar se Rregullorja e re e Kuvendit do të jetë e gatshme për miratim në muajin qershor.

   

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)