19 Prill 2024

Kërkohet komision hetimor mbi hetimin e marrëveshjeve me Serbinë

Prishtinë, 19 mars - Instituti Demokratik të Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kanë zhvilluar sot takimin e tretë koordinues të kryetarëve të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, mbi rolin mbikëqyrës të dialogut Kosovë-Serbi.

Fillimisht përfaqësuesit e komisioneve prezentë në këtë takim, diskutuan mbi aktivitetet e komisioneve të ndërmarra nga takimi i dytë rreth mbikëqyrjes së zbatimit të marrëveshjeve të cilat kishin të bënin me ftesat e ministrave në raportim, kërkesat për hulumtime parlamentare si dhe vizita në terren.

Kryetarja e Komisionit për politikë të jashtme, Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi e ka konfirmuar para Komisionit parlamentar se Qeveria nuk është koordinuar dhe as dakorduar zyrtarisht me presidentin Hashim Thaçi në lidhje me rolin prijës të presidentit në dialogun me Serbinë.

“Ne kemi dy rezoluta të miratuara në Kuvend të cilat e autorizojnë Qeverinë për udhëheqjen e dialogut dhe jo presidentin”, tha Osmani.

Osmani kërkoi që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re e cila e qartëson rolin e Qeverisë, përkatësisht të konfirmonte rolin e Qeverisë në udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

Kurse deputetja Albulena Haxhiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se shumë nga marrëveshjet tashmë të arritura në dialogun me Serbinë, nuk janë në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj, andaj sipas Haxhiut, nuk mund të bëhet thirrje që ato të zbatohen.

Haxhiu tha se në dialog po përmendet hapja e temave të rrezikshme dhe të dëmshme, që nga themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe e deri te shkëmbimi i territoreve me Serbinë.

“Është komplet e papranueshme që presidenti Thaçi në mënyrë autoritare ka marrë udhëheqjen e këtij procesi, kur e dimë se përgjegjësi kryesor për gjithë procesin e bisedimeve, duke e shkelë edhe rolin dhe kompetencën e Kuvendit të Kosovës, është pikërisht Hashim Thaçi”, tha deputetja Haxhiu.

Haxhiu tha se bisedimet janë përcjellë me një mungesë transparence dhe kërkoi që procesi të kthehet për debat në Kuvendin e Kosovës. Ajo tha se për bisedimet me Serbinë, deputetët shpesh informohen përmes statuseve në facebook të përfaqësuesve të Kosovës në dialog.

Mirëpo, jo vetëm roli i presidentit, por deputetët kanë ngritur dyshime edhe te aftësia e delegacionit të ri qeveritar për përfaqësimin e Kosovës në nivelin teknik të bisedimeve me Serbinë.

Deputeti tjetër nga radhët e LDK-së në këtë komision, Driton Selmanaj tha se caktimi i koordinatorit të ri për bisedimet, Avni Arifi dhe delegacionit të ri për bisedimet, paraqet një zhvillim të ri.

“Për mua, qoftë Arifi apo delegacioni i ri është jokompetent për ta përfaqësuar Kosovën. Ky ekip më shumë i përngjanë një ekspedite turistësh sesa një delegacioni shtetëror për përfaqësimin e vendit. Aq më tepër kur tani procesi i bisedimeve po hyn në fazën finale”, tha Selmanaj.

Tutje u theksua nevoja e rritjes së transparencës dhe nevoja për dakordësim të përgjithshëm rreth vijave të kuqe të Kosovës në procesin e dialogut si dhe u potencuan një sërë rekomandimesh që lidhen me këtë proces.

Në këtë drejtim u theksua që të gjitha komisionet parlamentare të përfshijnë në planet e tyre të punës çështjet që ndërlidhen me marrëveshjet e që njëkohësisht bien në fushëveprim të tyre dhe të realizojnë vizita në terren në lidhje me mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Po ashtu u rekomandua që të hartohet një letër e përbashkët e komisioneve parlamentare drejtuar Qeverisë së Kosovës në lidhje me fazën e re të dialogut ku njofton Kuvendin rreth delegacionit të shtetit të Kosovës dhe platformën e re të bisedimeve.

Një rekomandim tjetër lidhet me inicimin e një rezolute nga Kuvendi i Kosovës rreth fazës së re të dialogut, që presidenti t’i drejtohet Kuvendit për të njoftuar këtë institucion mbi takimet që ka pasur deri tani me presidentin e Serbisë rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Gjithashtu u rekomandua ngritja e një komision hetimor mbi hetimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të këtij procesi.

Gjatë takimit u tha që Kuvendi është lënë anash edhe nga kjo Qeveri në procesin e dialogut, dhe u kërkua që dialogu t’i kthehet Kuvendit ku komisionet parlamentare do të luajnë një rol më aktiv, dhe ku do të promovohet transparenca dhe llogaridhënia.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)