29 Mars 2024

KE i bën thirrje Kosovës që të forcojë luftën kundër korrupsionit

Prishtinë, 16 tetor - Takimi i katërt i Komitetit për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës u zhvillua virtualisht.

Takimi u bashkëkryesua nga znj. Genoveva Ruiz Calavera, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, dhe Artan Çollaku, Drejtor i Departamentit për Koordinim të Procesit të Stabilizim-Asociimit në Zyrën e Kryeministrit, nga Qeveria e Kosovës.

Komiteti për Stabilizim-Asociim diskutoi zhvillimet kyçe politike të kohëve të fundit dhe mori në konsideratë gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, përafrimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA).

Takimi vlerësoi dhe aprovoi rezultatet e shtatë takimeve nën-komiteteve dhe të një takimi të Grupit të Posaçëm, të cilat ishin mbajtur gjatë vitit të kaluar.

Gjatë diskutimeve, u vlerësua përparimi në fushat përkatëse të Agjendës së Reformave Evropiane dhe Programit të Reformave Ekonomike, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e përpjekjeve të Kosovës për reforma dhe zbatimin e MSA-së në fusha të tilla si qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrueshmëria dhe klima e investimeve, si dhe punësimi dhe arsimi.

Takimi diskutoi prioritetet e reformave në fusha që përfshijnë sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike dhe reformat ekonomike.

Komisioni Evropian mirëpriti që qeveria e Kosovës, e zgjedhur në qershor 2020, ka konfirmuar angazhimin strategjik të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe ka lejuar rifillimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë.

Komisioni Evropian i bëri thirrje Kosovës që të rigjallërojë procesin e reformave, duke përfshirë forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të shfrytëzojë rastin e rimëkëmbjes ekonomike për të përshpejtuar reformat ekonomike, në përputhje me pritjet e qytetarëve të Kosovës.

Në këtë drejtim, Komisioni mirëpriti lansimin e një faze të dytë të Agjendës së Reformave Evropiane (ARE), dhe u shpreh se është në pritje të Planit të Veprimit përkatës të qeverisë. Komisioni e inkurajoi qeverinë që të angazhohet me të gjitha partitë politike në Kuvend, përfshirë nga opozita, në mënyrë që të ndërtohet konsensusi politik për vendimet që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe Agjendës së Reformave Evropiane, si dhe për dialogun Beograd-Prishtinë.

Në takim u përvijua rëndësia e përafrimit me standardet më të mira të BE-së në sektorët kyç, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, tregun e brendshëm, arsimin, energjinë dhe mjedisin. Komisioni nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal.

Palët shpresojnë të diskutojnë më tej mbi përparimin e bërë në këto fusha kyçe gjatë Këshillit të ardhshëm për Stabilizim Asociim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)