29 Mars 2024

KDI publikoi Raportin monitorues për punën e Kuvendit

Prishtinë, 23 korrik - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar raportin nga monitorimi i punës së Kuvendit të Kosovës për periudhën janar-qershor 2010, ku janë paraqitur të gjitha  aktivitetet e legjislativit për këtë periudhë. Bazuar në të gjeturat nga monitorimi, KDI ka drejtuar një varg rekomandimesh për institucionin më të lartë të vendit, në mënyrë që ta përmirësoj performacën.
 
Driton Selmanaj, koordinator i projektit të monitorimit të Parlamentit, në konferncë për media, ku është prezantuar raporti, ka thënë se sa i përket seancave plenare, gjatë periudhës janar - qershor 2010, Kuvendi ka mbajtur gjithsej 18 seanca plenare, prej tyre 15 të rregullta dhe 3 solemne.

Kuorumi dhe mos gatishmëria e ministrave të kabinetit qeveritar për të qëndruar në seanca dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare, sipas tij, janë po ashtu probleme që edhe në këtë sesion pranveror e kanë përcjellë punën e Kuvendit të Kosovës. “Pikërisht për shkak të mungesës së kuorumit dy herë gjatë kësaj periudhe Kuvendi u detyrua t’i ndërpres punimet në seanca plenare me 18.03.2010 dhe 17.06.2010”, ka thënë Selmanaj.

Ndërkohë, sa i takon komisioneve parlamentare, periudha raportuese i ka karakterizuar me probleme të cilat në vazhdimësi po i përcjellin, duke filluar nga  mos- respektimi i afateve për procedimin e P/Ligjeve nga leximi i parë  deri te në leximin e dytë, numri jashtëzakonisht i vogël i ligjeve të monitoruara, dështimi i mbledhjeve të komisioneve parlamentare për shkak të kuorumit, mos-votimi sipas formave të parapara me rregullore në mbledhjet e komisioneve etj.

“Komisioni  me numrin më të madh të mbledhjeve të mbajtura edhe në këtë sesion plenar vazhdon të jetë Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi me 28 mbledhje të mbajtura si dhe Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Transport dhe Telekomunikacion me gjithsejtë 24 mbledhje të realizuara.

Ndërkaq komisionet me numrin më të vogël të mbledhjeve të mbajtura gjatë kësaj periudhe raportuese kanë qenë Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjensionit të Inteligjencës me vetëm 3 mbledhje të mbajtura si dhe Komisioni për Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim me 9 takime të realizuara”, ka deklaruar Selmanaj.

Një çështje tjetër sipas tij, që është paraqitur në raport, është edhe organizimi i dëgjimeve publike, ku krahasuar me periudhat paraprake dhe me legjislaturat e mëparshme, periudha janar-korrik 2010 mund të konsiderohet si periudha me më së shumti dëgjime publike të organizuara nga komisionet parlamentare që kapin shifrën në 17 dëgjime publike.

Monitorimi i zbatimit të ligjeve, Selmanaj ka thënë se ka qenë një problem që është evidentuar në raport. Komisionet parlamentare po vazhdojnë ta neglizhojnë duke monitoruar një numër  tejet simbolik apo duke mos monitoruar fare asnjë ligj që del nga kompetencat dhe fushë veprimtaria e secilit komision në veçanti.

“Mbikëqyrja parlamentare e Qeverisë, është vlerësuar nga mekanizmi i pyetjeve parlamentare, ku gjithsej kanë qenë 128 pyetje për gjashtë muaj.  Megjithatë edhe më tutje vazhdon të jetë problem mungesa e ministrave në seanca plenare për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Ndërkohë, Grupi Parlamentar më aktiv sa i përket pyetjeve parlamentare është GP i PDK-së, pasuar nga LDK, AAK,


AKR, etj. Mirëpo, megjithatë, deputetët e pavarur (pa grup parlamentar) kanë bërë pyetje më shumë sesa secili grup tjetër, gjithsej 29, ka shtuar ai.

Ajo që vlerësohet si shqetësues, KDI vlerëson se është mungesa e interpelancave parlamentare. Deputetët as në këtë sesion pranveror asnjëherë nuk e kanë shfrytëzuar këtë formë të mbikëqyrjes parlamentare, ku gjithsej kanë qenë 11 deputetë.

Raporti gjashtëmujor i KDI-së për punën e Kuvendit të Kosovës, ka paraqitur edhe performancën statistikore të deputetët dhe grupet parlamentare.

Isuf Zejna, monitorues në KDI, ka paraqitur performancën e deputetëve dhe grupeve parlamentare. Sipas tij, deputetët më aktivë janë: Riza Smaka 6.09 %, Driton Tali 4.65 %, Naim Rrustemi 4.33 %, Gjylnaze Syla 3.27 %, Naser Rugova 2.63 %, Armend Zemaj 2.45 %, Vezira Emruš 2.29 %, Bahri Hyseni 2.26 %, IbrahimMakolli 2.09 %, LulëzimZeneli 1.95 %.

“Deputetët me pasivë gjatë kësaj periudhe parlamentare janë: Enver Hoxhaj -0.08%, Skender Hyseni -0.08%, Slaviša Petković -0.08%, Mihailo Šćepanović -0.07%, Dragan Dimić -0.05%, Bujar Bukoshi -0.04%, Vlora Çitaku -0.03%, Anita Morina-Saraqi -0.03%, Ramë Manaj -0.03%, Etem Arifi -0.03%, Lutfi Zharku -0.01%, Alush Gashi -0.01%, Hafize Hajdini -0.01%, Dragiša Mirić -0.01%”, ka thënë Zejna.

Në linkun më poshtë, mund të gjeni raportin e plotë, si dhe renditjen për secilin deputet dhe grup parlamentar, përkatësisht deputetin më aktiv-pasiv, si dhe performancën e grupeve parlamentare. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)