13 Nëntor 2019

Judah: 'Kosova ka ngecur në vend'

Prishtinë, 17 shkurt - Ndërsa kanë kaluar dy vjet nga pavarësia e Kosovës kritikët thonë se pas inercisë së pavarësisë, vendi duket se ka ngelur në vend.

Në një intervistë për BBC-në, publicisti britanik Tim Judah i cili ka shkruar librin 'Kosova: Luftë dhe Hakmarrje', thotë se autoritetet kosovare nuk po bëjnë "një politikë pro-aktive", siç e quan ai, për promovimin e vendit duke e lënë këtë në dorë të të huajve.

Ai thotë se Kosova ka ngecur në vend edhe për sa i përket ekonomisë, dhe krijimit të vendeve të punës.

"Një vit më parë do të thoja gjërat kanë shkuar përgjithësisht shumë mirë, duke marrë parasysh parashikimet shumë të errëta se çfarë mund të ndodhte pas pavarësisë, ndërsa njerëzit flisnin për një valë të re refugjatësh, për një konflikt të ri, por tani, pas dy vitesh, mendoj se ekziston një ndjenjë që Kosova thjesht ka ngecur në vend dhe nuk po ecën me të vërtetë. Duket se ka një ndjenjë inercie për Kosovën, nuk duket se ka ndonjë vizion strategjik se çfarë duhet të bëjë më pas dhe qeveria e saj nuk po bën sa duhet, apo mjaftueshëm, për të krijuar vende pune, apo për të tërhequr investime. Sigurisht, që nuk është e lehtë, por më është krijuar përshtypja që Kosova duket se ka ngecur në vend dy vjet pas pavarësisë", ka theksuar Judah.

Ai ka deklaruar se ndjenja e tij është se autoritetet e Kosovës nuk janë pro-aktive sa duhet. Vitin e shkuar Judah kishte biseduar me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, dhe ai ai kishte shpenzuar 700 orë në aeroplan, pra rreth dy orë në ditë.

"E di që nuk është njëlloj dhe është e vështirë, por a kalon ministri i Jashtëm i Kosovës dy orë në ditë, çdo ditë, duke fluturuar nëpër glob për të promovuar Kosovën dhe a bëjnë të njëjtën gjë ministrat e tjetër kosovarë? E kuptoj se Serbia ka një diplomaci më me eksperiencë, por ndryshimi i madh midis Serbisë e Kosovës është se Serbia ka një politikë pro-aktive për të bërë diçka, ndërsa me kosovarët duket se ata janë tepër të gatshëm që të lënë të tjerët të bëjnë diçka, duke pritur që amerikanët apo britanikët të bëjnë diçka për ta. Nëse je në Kosovë, ajo të duket e madhe, por krahasuar me botën, po të kihen parasysh çështje si Irani apo Afganistani, Kosova nuk është aq e rëndësishme. Pra, është e mundur të shkosh dhe të promovosh biznesin apo edhe njohjen", është shprehur Judah.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 nëntor 2019

- Save the Children në bashkëpunim me Minstrinë e Arsimit dhe Institutin Pedagogjik organizojnë konferencën ndërkombëtare ‘Fuqizimi i Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijërinë e Hershme’ që ka për qëllim të ofrojë mundësi për hartuesit e politikave, ofruesit e shërbimeve, përfaqësuesit nga akademia dhe akterë të tjerë, për t’u informuar dhe ndarë praktikat më të mira mbi rëndësinë e investimeve në kujdesin dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit lidhur me dy projekte të mëdha të Ministrisë së Infrastrukturës siç janë, rehabilitimi i rrugës Prishtinë - Pejë dhe Prishtinë - Mitrovicë ku edhe do të bëhet edhe publikimi i hulumtimit mbi arsyet e vonesave në punime në këto dy rrugë, i titulluar “Rrugë pa fund”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Organizata "Voice of Roma, Ashkali and Egyptians" VoRAE organizon Festivalin Multikulturorë i pari i këtij lloji në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë “Roli i vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit: Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme”. (Qendra e konferencave Orion, ora 10:30)

- Në kuadër të fushatës “Jo drogë tek të rinjtë”, Task Forca Anti Drogë tek të rinjtë dhe siguri në Shkolla do të organizoj pritje për student, ku do të shfaqin prezantimet me njohurit e tyre lidhur me narkotikët, si dhe do të bashkëbisedojnë me Shefin e Task Forcës Anti Drogë. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 11:00) 

- Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenti, Visar Shehu, do të mbajë konferencë për shtyp për ta njoftuar opinionin publik me më të rejat nga fusha e shëndetësisë. (Zyret e Shërbimit Urgjent, rruga Tirana në Prizren, ora 11:00)

- Ambasada e Francës në Kosovë mban konferencë për media në të cilën do të prezantojë edicionin e 19 - të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë i cili organizohet në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze, Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. (Salla e konferencave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ora 12:00)

- Teatri i Qytetit te Mitrovicës "Muharrem Qena" shfaq premierën teatrore “Kur treni vonohet”, me autor Osman Goranci dhe me regji të Artan Tmavës. (Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ora 19:00)