27 Janar 2020

Jo të gjitha komunat kanë arritur t’i përmbushin të gjitha zotimet

Prishtinë, 4 dhjetor - Demokraci Plus (D+) mbajti tryezë diskutimi me kryetarë, nënkryetarë dhe zyrtarë të komunave të ndryshme në vend ku u prezantua raporti “Progresi në zotimet për qeverisje të mirë – 2 vite pas”, për zotimet e nënshkruara në tetor të 2017-s nga kryetarët e komunave më të mëdha në vend, gjatë kohës sa ishin kandidatë për këtë pozitë.

Kryetarët u zotuan për: Publikim të vendimeve në ueb, transparencë financiare, konsultime publike në lagje dhe fshatra, transparencë në prokurim publik, publikim të raportit të përmbushjes së premtimeve, si dhe adresimi i kërkesave të qytetarëve përmes platformave online.

Debora Peci hulumtuese në D+, duke prezantuar të gjeturat e këtij raporti vuri në pah se në vleresimin e bërë për vitin 2019, vërehet se edhe këtë vit jo të gjitha komunat kanë arritur t’i përmbushin të gjitha zotimet.

Për dallim nga viti i kalur, këtë vit komuna e Prishtinës ka arritur t’i përmbush zotimet, e pasuar nga komuna e Pejës dhe Gjakovës, e cila ka shenuar progres nga viti i kaluar. Ndërsa komuna e cila më së paku ka arritur t’i përmbush zotimet për qeverisje të mirë, eshte komuna e Ferizajt.

Kryetar i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, vlerësoi këtë publikim, duke thënë se kjo komunë mundohet që të mbajë në vazhdimësi transparencë dhe se për këtë kanë bashkëpunim me donatorë dhe OJQ.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi tha se pajtohet me të gjeturat e raportit të D+ dhe se janë të përqendruar nga mandati i parë në transparencë, në digjitalizim dhe në konsultat publike. “Në fund të vitit kryetari do të bëjë publikimin e raportit me 100 premtimet e tij”, tha ai.

Nënkryetarja e Komunës së Prizrenit, Memnuna Ajdini, vuri në pah se kjo komunë ka përmirësime dhe se platformat online kanë ndikuar në bashkëpunim me komunitetet, por e paraqiti si problem pjesëmarrjen e ulët të grave, sidomos në debate publike.

Nënkryetair i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, theksoi se raporte të tilla si të D+ ndihmojnë komunat për përmirësime në performancë dhe çështje të tjera, duke vënë në pah se sa i përket transparencës janë shpërblyer si komuna më e mirë në vend.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Zijadin Maliqi, tha se nuk pajtohet me njërën nga të gjeturat e raportit të D+ sa i përket transparencës buxhetore, duke thënë se çdo gjë është e publikuar online. Por, ai e pranoi se te fusha e prokurimit nuk qëndrojnë mirë.

Fatos Axhemi, nga Komuna e Gjakovës, theksoi se janë në përkrahje të platformave online të D+ që kontribuojnë në transparencë dhe jo vetëm.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2020  - Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Zejtarëve dhe Afaristëve ESNAF nga Prizreni organizojn takim për mundësitë e bashkëpunimit në përkrahje të sektorit privat. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Kuvendi Komunal i Prizrenit do të mbajë mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. (Salla e Kuvendit në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj bashkë me kabinetin qeveritar, bëjnë homazhe te obelisku i Hebrenjve, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. (Oborri i Qeverisë së Kosovës, ora 11:00)

- Plaformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike organizon konferencën për media me temë “Sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë: Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetarë ndaj këtyre institucioneve”. (Qendra e Konferencave Orion, ora 11:00)

-  Universiteti i Gjakovës "Fehmi Agani" organizon manifestimin e kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. (Hapësirat e Fakultetit të Edukimit -Filologjisë, Gjakovë, ora 11:00)

-  Misioni i OSBE-së dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit. (Dokukino në Kompleksin Europa në Prizren, ora 12:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në shënimin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit. (DokuKino, Kompleksi Europa në Prizren, ora 12:30)

- Rinia Demokratike e Kosovës shënon 20 vjetorin e themelimit. (Menza "Ramiz Sadiku", Prishtinë, ora 18:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe AS Film, për nder të Ditës Përkujtimore të Holokaustit, do të organizojnë shfaqjen e filmit dokumentar “Përqafimi i fatit”, me regji të Jakov Sedlar. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 19:00)