18 Prill 2024

Institucionet e Kosovës me rekrutime jomeritore

Prishtinë,  26 nëntor - Instituti GAP sot ka publikuar raportin “Rekrutimet jomeritore në institucionet publike”, i cili analizon ndikimin e projektit britanik në emërimin e profesionistëve në pozita të larta udhëheqëse.

Raporti argumenton se projekti i Ambasadës Britanike ka pasur një ndikim pozitiv jo vetëm në rekrutimin meritor në disa pozita të rëndësishme të nivelit të lartë drejtues, por edhe në krijimin e një kulture të re të monitorimit të rekrutimit, duke rritur dukshëm kualitetin e aplikantëve dhe nivelin e transparencës së procesit të selektimit.

Megjithatë, shqetësuese mbetet niveli i lartë i moszbatimit të rekomandimeve të Ambasadës Britanike, e cila përveç që paraqet një shkelje të zotimit dhe harxhim të fondeve të taksapaguesve britanik, është edhe një indikacion se institucionet e Kosovës nuk e kanë prioritet instalimin e meritokracisë në pozita udhëheqëse.

Për të parandaluar nepotizmin dhe vendosur meritokraci në punësime në pozita të larta drejtuese, Ambasada Britanike u kishte ofruar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës asistencë në rekrutimet meritore.

Faza e parë e këtij bashkëpunimi kishte filluar në tetor të vitit 2016. Faza e dytë e projektit vazhdoi nga shtatori 2018 deri më 31 mars 2020.

Ndërkaq, në korrik të këtij viti, Ambasada Britanike ka vazhduar projektin me Kuvendin dhe Qeverinë që do të zgjatë gjatë gjithë mandatit të Kuvendit, gjegjësisht Qeverisë.

Zbatimi i këtij projekti ka një kosto të lartë buxhetore. Shuma totale e paguar nga muaji tetor 2016 deri në fund të kontratës aktuale kap një kosto prej 1,772,356 funtave (afër 2 milionë euro).

Por institucionet e Kosovës në shumë raste kanë anashkaluar rekomandimet e britanikëve për të zgjedhur në pozitat kyçe njerëz meritorë.

Në 14 procese rekrutimi, rekomandimet e partnerit britanik janë injoruar komplet, duke emëruar persona që fare nuk kanë qenë në listën e ngushtë të kandidatëve të suksesshëm.

Raporti argumenton se rekrutimet meritore përveç që ndikojnë në uljen e korrupsionit dhe nepotizmit, meritokracia është edhe parakusht për të krijuar një shoqëri të barabartë dhe të aftë për t’u zhvilluar.

Një raport i BRIN-it i bazuar në monitorimin dhjetë mujor të procesit të rekrutimit vjen në përfundim se institucionet e Kosovës kanë dështuar t’i implementojnë rekomandimet e Ambasadës Britanike për të zgjedhur në pozita kyqe “njerëz meritor, të vlerësuar dhe të cilët i plotësojnë kriteret”.

Sipas këtij raporti, në disa raste, Qeveria e Kosovës ka shmangur ose ka përjashtuar tërësisht përfaqësuesit e kompanisë britanike nga procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve përkundër memorandumit të bashkëpunimit.

Madje, Qeveria e Kosovës kishe lejuar që kandidatë të cilët nuk janë rekomanduar nga kompania britanike të zgjedhen në krye të kompanive publike apo bordeve të rëndësishme.

Edhe Kuvendi i Kosovës ka dështuar t’i votojë kandidatët e rekomanduar nga agjencia britanike thuhet në këtë raport, ku nga gjashtë rastet e monitoruara, vetëm në njërin rast Kuvendi i ka votuar kandidatët e suksesshëm sipas vlerësimit të britanikëve.

Sipas një vlerësimi të brendshëm të këtij projekti i bërë nga Ambasada Britanike, që nga fillimi i projektit e deri në muajin mars 2020, britanikët kanë marrë pjesë në 85 procese rekrutimi.

Vetëm 33 raste apo 38.8% ishin të sukseshme, që nënkupton se emërimi ishte në përputhje më rekomandimet e kompanisë britanike.

Në 14 raste apo 16.5% kanë rezultuar pa sukses, që nënkupton se rekomandimet e partnerit britanik janë injoruar ose janë emëruar persona që fare nuk kanë qenë në listën e ngushtë të partnerit implementues.

Ndërkaq, 20 procese rekrutimi apo 23.5% të rasteve janë zhvilluar pa përfshirjen fare të partnerit britanik, pavarësisht listave të dakorduara më herët.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)