25 Prill 2024

Implementimi i strategjisë kundër krimit prioritet për Kosovën

Prishtinë, 21 prill - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në cilësinë e Koordinatorit Nacional të Strategjisë për Luftimin e Krimit të Organizuar, mbajti  takimin e radhës të Grupit Ndër-institucional për Implementimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kundër Krimit të Organizuar 2009-2012.

Në këtë takim u diskutua për të arriturat e tremujorit të parë të këtij viti dhe për bashkëpunimin ndërinstitucional në implementimin e kësaj Strategjie.

Ministri Rexhepi theksoi se tanimë kompletimi i infrastrukturës ligjore për luftimin e krimit të organizuar është në përfundim. Ai theksoi se mungesa e një bashkërendimi ndër-institucional në luftën Kundër Krimit të Organizuar, vështirëson efektivitetin e Mekanizmave të Implementimit të Ligjit në Kosovë.

“Puna individuale e agjencioneve të ndryshme shtetërore si: Policisë, Doganave, Prokurorisë, etj., rezulton me suksese parciale të aktiviteteve kundër krimit të organizuar. Ndërmarrja e masave adekuate, bashkëpunimi ndër-institucional, koordinimi i aktiviteteve është kusht obligues për luftë të suksesshme kundër krimit të organizuar”, tha ministri Rexhepi.

Ndërsa Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi vlerësoi lartë bashkëpunimin me agjencionet relevante për implementimin e kësaj Strategjie dhe propozoi krijimin e një Task Force për luftimin e krimit të organizuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, raportoi se Policia e Kosovës po i përmbushë detyrimet e dala nga kjo Strategji me ngritjen e kapaciteteve si dhe theksoi nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit të akterëve kryesorë në luftën kundër krimit të organizuar.

“Policia po bën hapa shumë të rëndësishëm në Njësinë për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe së shpejti do të përmbyllet krijimi i kësaj Njësie”, tha Maliqi.
Në këtë takim mori pjesë edhe drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, i cili raportoi sukses më të madh për 24 për qind në vjeljen e të hyrave doganore.

Ndërsa Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti potencoi se ATK ka trajnuar zyrtarët e saj në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe evazionit fiskal në vazhdën e implementimit të Strategjisë për Luftimin e Krimit të Organizuar.

Po ashtu, në këtë takim morën pjesë edhe shefi i komponentës së policisë së EULEX-it, Udo Muller, përfaqësues të ICITAP-it dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

Takimi i radhës i Grupit Ndërinstitucional për Implementimin e Strategjisë dhe Planit të veprimit Kundër Krimit të Organizuar 2009-2012, pritet të mbahet pas një muaji.

 
 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)