07 Dhjetor 2019

Ikja nga përgjegjësia e Qeverisë së Kosovës e papranueshme

Prishtinë, 3 dhjetor - Në kërkesën drejtuar Qeverisë të premten e kaluar, organizatat e shoqërisë civile fillimisht vlerësuan reagimin shembullor të Qeverisë së Kosovës në orët e para pas termetit dhe dërgimin e trupave të specializuara në Shqipëri.

Njëherazi organizatat theksuan mungesën e menaxhimit të duhur, kordinimit të veprimeve si dhe informatave e udhëzimeve lidhur me të ardhurit në Kosovë si pasojë e dëmtimeve shkatërrimtare të tërmeteve në Shqipëri.

Si rrjedhojë organizatat konstatuan që qytetarë e nisma qytetare të shumta u vetorganizuan për të identifikuar mundësi strehimi dhe ndërmjetësim për akomodimin e qytetarëve të Shqipërisë, por të njejtat do të duhej që të viheshin në shërbim të një veprimi të mirëkordinuar dhe institucional.

"Përderisa prisnim që Qeveria e Kosovës të takohej për të themeluar Shtabin Qendror për të kordinuar veprimet për ndihmë të zhvendosurëve nga Shqipëria, Kryeministri i Kosovës z. Haradinaj, ​në një ngjarje ceremoniale​ akuzoi shoqërinë civile dhe vullnetarët tjerë për joprofesionalizëm dhe keqpërdorim të gjendjes së krijuar."

"Përderisa vet kryeministri theksoi që duhet të ketë planifikim e kordinim në trajtimin e situatës së krijuar, kërkesën tonë e konsideroi si tallje me institucionet", theksojnë këto organizata në reagimin e tyre. 

Që nga dita e parë pas termetit, Qeveria e Kosovës e ka kufizuar angazhimin e vet për pritjen e të zhvendosurëve nga Shqipëria në hapjen dhe menaxhimin e Kampit në Prizren, e së fundmi edhe sallës së Gjimnazit ”Gjon Buzuku” po në Prizren.

Sipas Qemal Minxhozi, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, këto ditë në Kosovë kanë hyrë mbi 17 mijë qytetarë nga Shqipëria.

Kampi dhe salla e gjimnazit në Prizren së bashku nuk kanë kapacitet për të strehuar mbi 600-700 persona, kapacitet ky i mbushur qysh të Enjten në mbrëmje.

Pra, pretendimi se me adresimin e vetëm 5% të këtij numri Qeveria ka menaxhuar si duhet këtë situatë janë të paqëndrueshme. 

Në anën tjetër, përveç informatave sporadike të lidhura me Kampin në Prizren, Qeveria e Kosovës ka dështuar që të ofrojë çfarëdo informata apo udhëzime rreth kësaj situate.

Organizatat vlerësojnë së ende qytetarët e Kosovës nuk kanë ndonjë adresë të saktë se ku mund të informohen rreth kësaj situate, ndërsa faqja zyrtare e Zyrës së Kryeministrit vazhdon që të ofrojë informata mbi aktivitetet protokollare të Kryministrit, por jo edhe udhëzime apo informacione konkrete për qytetarë.

 Tentimet e shumta të qytetarëve, nismave e organizatave të shoqërisë civile për të marrë informacion lidhur me veprimet e tyre ose janë injoruar, ose janë shoqëruar me shmangie përgjegjësie apo dhënie të informatave kontradiktore."

"Vet kërkesa zyrtare e shoqërisë civile për themelim të një Shtabi Emergjent dhe veprimet prioritare pasuese ka hasur në mos-përgjigje të plotë", shtojnë me tutje këto organizata.

Listën e veprimeve të cilën Kryeministri Haradinaj e mbante para vetes nuk e ka parë asnjë qytetar, ende.

Organizatat konsiderojnë së cilat do që mund të jenë ato veprime, do të duhej të ishin publike qysh në momentin që janë planifikuar dhe kanë ndodhur. 

Akuzat për sjellje të njerëzve në Kosovë nga shoqëria civile, OJQ-të apo vullnetarët tjerë janë të papranueshme.

Nuk kemi asnjë informacion që ndonjë organizatë e shoqërisë civile apo nismë tjetër vullnetare ka zhvendosur apo kontrabanduar njerëz në Kosovë, por kemi informata për qindra raste ku qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, grupet e tifozëve e grupet tjera të vullnetarëve nga dita e parë kanë strehuar, ushqyer, mbathur e ndihmuar ata që tashmë kanë qenë brenda territorit të Kosovës.

 Të gjitha në mënyrë vullnetare. Dhe, janë duke vazhduar të bëjnë të njejtën, sepse përveç atyre që janë strehuar në Kampin dhe sallën e gjimnazit në Prizren, ka edhe shumë qytetarë të tjerë gjithandej Kosovës, nëpër hotele private e familje nikoqire. 

Në anën tjetër, i rikujtojmë Kryeministrit dhe qeverisë në largim që përgjegjësia për menaxhimin e kufinjve të Kosovës është e institucioneve publike. Ashtu siç është edhe përgjegjësia për të bashkëpunuar me autoritetet e Shqipërisë në identifikimin e rasteve të keqpërdorimeve nga qytetarët e Shqipërisë.

Ashtu siç është edhe përgjegjësia për të marrë nën përkujdesje edhe të tjerët jashtë Kampit dhe gjimnazit në Prizren. Ashtu siç është edhe përgjegjësia e vendosjes e zbatimit të kritereve përkatëse.

Ashtu siç është edhe përgjegjësia për të regjistruar të gjithë të zhvendosurit. Ashtu siç është edhe përgjegjësia për të informuar dhe udhëzuar qytetarët detajisht lidhur me çdo veprim ose ndalesë në të tilla situata.

Ashtu siç është edhe përgjegjësia për të qenë transparent dhe informuar në kohë dhe në mënyrë të plotë lidhur me çdo veprim të Qeverisë e institucioneve tjera përgjegjëse në menaxhimin e kësaj krize. 

"Në fund, ne as që jemi të përfshirë e as të interesuar për lojërat politike partiake, as brenda Qeverisë e as me partitë tjera Fati dhe e ardhmja e qindra e mijëra njerëzve të cilët janë dhe do të mbeten në Kosovë të strehuar nëpër mikpritës vullnetarë përbën të vetmin shqetësim njerëzor dhe logjistik të secilit prej nesh", thuhet me tutje në reagimin e tyre.
 
Për këto arsye, organizatat kërkojnë nga Qeveria në largim që në vend që të kërkojë fajtorë e shpërndajë akuza të pabaza ndaj të tjerëve, të marrë përgjegjësitë e veta deri në ditën e fundit të qeverisjes në menaxhimin e situatave të tilla, kordinimin e veprimeve dhe informimin e udhëzimin e qartë për qytetarët e interesuar dhe publikun, duke zbatuar ​kërkesat konkrete të shoqërisë civile të datës 29 nëntor 2019​.  Organizatat përkrahëse:

Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile KCSF, Ec Ma Ndryshe, Instituti GAP, Fondi për Zhvillim të Komunitetit CDF, KOSID, Instituti Demokratik i Kosovës KDI, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN, Syri i Vizionit, Grupi për Studime Juridike dhe Politike GLPS, Qendra e Resurseve për Trajnim dhe Avokim ATRC, Balkan Sunfloëers Kosova, Let’s Do It Peja, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR, Lëvizja FOL, Qendra per Arsim e Kosoves – KEC, Trashëgimia Kulturore pa Kufinj (CHëB), Qendra për Barazi dhe Liri CEL, Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim – KADC, Instituti EdGuard, POLIS Lipjan, Shoqata e Intelektualëve të Pavarur Deçan, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë – QKSS, Netëork of Peace Movement (NOPM) Kamenicë, Integra, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, Shoqata e Intelektualëve Boshnjakë të Kosovës VKBIK, Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës STIKK, Demokracia Plus D+, Demokracia për Zhvillim D4D, Organizata Toka, Iniciativa Kosovare për Stabilitet IKS, Fondacioni Ipko, Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë IADK, Fondacioni Lumbardhi, Let’s Do it Kosova, Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë ANAK, Pro Planning, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës QKRMT. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 dhjetor 2019 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës organizon Konferencën e Nëntë Gjyqësore në të cilën do të marrin pjesë tërë struktura e sistemit të drejtësisë në Kosovës për të diskutuar temën: “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Federata e pingpongut të Kosovës do të organizojë turneun më të fortë të vitit 2019,  TOP 12 për Seniorët më të mirë, me të cilat edhe përmbyllen garat për vitin 2019. (Palestra e sporteve në Prishtinë, ora 10:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës organizon turneun final të projektit “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin e organizuar” nën moton “Ti mund ta bësh – You Can Do It”, ku do të marrin pjesë ekipet fituese të turneve të mbajtur në 13 komuna. (Kompleksi “Sopa Sport” në Lipjan, ora 10:15)

- Rrjeti i Grave të Kosovës mbledhë 158 organizatat anëtare, përkrahësit individual, partnerët, miqtë, dhe përfaqësuesit e mediave në Kuvendin e 17-të Vjetor të Anëtareve. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- Misioni i OSBE-së organizon konferencë ku do të prezantojë aktivitetet që Misioni ka organizuar gjatë vitit 2019 me të rinj, siç janë Akademia e OSBE-së për Dialog, Deklarata Ndër-Komunale për Dialog ndërmjet Komuniteteve, si dhe Lojërat Mini-Olimpike për Njerëz me Nevoja të Veçanta, të cilat kanë sjellë së bashku të rinj nga komunitete të ndryshme. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:30)

- Gecjan Fashion Group sjellë për të 13-in Vit me radhë, ngjarjen më të madhe të modës në rajon “Kosova International Fashion Week 2019”. (Salla e panaireve në Shkabaj, ora 18:00)