25 Prill 2024

IKD kundër përfitimeve të zyrtarëve publikë nga buxheti i shtetit

Prishtinë, 24 maj – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka analizuar procesin e hartimit dhe miratimit të Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksioneve Publike, për të cilin ka hartuar edhe një hulumtim parlamentar për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Miratimi i këtij ligji, avancon rregullimin e fushës së parandalimit dhe luftimit të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike nga zyrtarët publikë, të cilët duke ushtruar funksionet e tyre në shumë pozita, kanë qenë përfitues të mëdhenj nga buxheti i shtetit.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik përfundimisht ka adresuar çështjen e “supermenëve” në institucionet publike, të cilët në të njëjtën kohë mbajnë disa pozita drejtuese. Praktika e “supermenëve” ndalohet në mënyrë eksplicite në nenin 13, paragrafin 2 të këtij ligji, i cili përcakton se “zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj.”

IKD vlerëson se shembulli i respektimit të zbatimit të sundimit të ligjit, respektivisht të zbatimit të këtij ligji duhet të vije nga institucionet më të larta të shtetit. Në këtë drejtim, institucioni më i thirrur për ndërtimin e këtij shembulli është Prokurori i Shtetit. Tash për tash, kreu i këtij institucioni, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është një prej “supermenëve” në institucionet publike, për shkak se ushtron tri pozita drejtuese në institucionet publike. Në të njëjtën kohë është Kryeprokuror i Shtetit, Kryetar i Këshilli Drejtues të Akademisë së Drejtësisë dhe Kryetar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Këtu përjashtohen edhe pozitat tjera jodrejtuese, duke përfshirë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe anëtarë i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, për të cilat gjithashtu kompensohet si anëtar.

Sipas nenit 13 (2) të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, zyrtarit të lartë i ndalohet të jetë drejtues i më shumë se një organi drejtues të një institucioni publik përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Kryeprokurori i Shtetit në asnjërën prej dy pozitave të tjera drejtuese nuk përcaktohet me ligj se duhet të jetë drejtues i institucionit. Prandaj, ushtrimi i këtyre pozitave drejtuese konsumon veprën penale të konfliktit të interesit, gjë që do duhej të ndiqej pikërisht nga Prokurori i Shtetit.

Një prej problemeve më të mëdha, rrjedhimisht përfitimeve më të mëdha për zyrtarët publikë janë shtesat për punën që ata bëjnë brenda orarit të rregullt të punës.

Praktika e pagesës së shtesave për zyrtarët publikë është ndërprerë me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit gjatë Ushtrimit të Funksionit Publik. Praktika e shtesave ndalohet në mënyrë eksplicite në nenin 13, paragrafin 2 të këtij ligji, i cili përcakton se “zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të.”

Për ta elaboruar këtë situatë, IKD sjellë shembullin e shtesave në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial. IKD monitoron sistematikisht sistemin e drejtësisë dhe gjetjet dëshmojnë se shumica e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, përveç pagës bazë që marrin si gjykatës apo prokuror të deleguar nga gjykata dhe prokuroria përkatëse sipas rregullave dhe procedurave ligjore, në bazë të rregullave të brendshme të miratuara nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, para hyrjes në fuqi të këtij ligji pranojnë kompensim shtesë për punën që e bëjnë si anëtarë të dy këshillave. Një praktikë e tillë, bie ndesh me frymën dhe qëllimin e ligjit për konfliktin e interesit.

Në këtë drejtim është e domosdoshme  që Këshillat, institucionet e tjera publike dhe Agjencia Kundër Korrupsion të ndërmarrin masa urgjente për sqarimin e këtyre situatave dhe të ndërmarrin veprime  urgjente në parandalimin e veprimeve që potencialisht mund të hyn në sferën penale.

Problematika e pagimit të shtesave për zyrtarët publikë tashmë është qartësuar përmes ligjit dhe Agjencia Kundër Korrupsion duhet të njoftojë institucionet për dispozitat e reja të këtij ligji dhe të kërkojë që zyrtarët publikë të zbatojnë ligjin sa i përket pagesës së shtesave.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)