19 Prill 2024

Ide për shkëmbime territoresh Kosovë-Serbi

Prishtinë, 29 qershor - Një ide për shkëmbime territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar të qarkullojë në qarqet politike në Beograd, si një prej kompromiseve të mundshme mes të dyja palëve.

Siç mëson BBC, ka ide që vlerësojnë se ndarja e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, dhe shkëmbimi me territorin e komunës së Preshevës në jug të Serbisë, e banuar me shumicë shqiptare, do të mund të zgjidhte problemin mes dy vendeve.

Propozimet për Kosovën, vijnë në periudhën kur pritet dhënia e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për ligjshmërinë e pavarësisë dhe pritjes së fillimit të bisedimeve mes palëve pas këtij vendimi.

Ekzistenca e idesë për shkëmbim territoresh nuk është mohuar as nga organizatat ndërkombëtare me ndikim, por ato kanë thënë se ajo është më e vështirë të arrihet se sa, siç thuhet, \"mendojnë disa vëzhgues në Beograd\". Drejtori për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Marko Prelec, i tha BBC-së se idetë për shkëmbim territoresh tashmë po qarkullojnë, por ato, sipas tij, kanë pak gjasa që të realizohen.

Ai tha se mund të ketë edhe zgjidhje alternative për veriun e Kosovës dhe për Luginën e Preshevës, përveç ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve. Prelec tha se Grupi i Krizave ka diskutime me të gjitha qeveritë e rajonit në baza të rregullta dhe, sipas tij, do të ishte e papërshtatshme që të komentojë këto diskutime meqë ato janë gjithnjë konfidenciale.

Në pyetjen direkte se a është në ndonjë axhendë çështja e ndarjes së Kosovës, Prelec tha se janë \"hedhur ide për një lloj rregullimi territorial\", por sipas mbetet të shihet se sa reale mund të jenë ato.

\"Por ajo që e bën tërheqëse shkëmbimin e territoreve, jo vetëm në rajon, por edhe jashtë tij, tek disa palë, është se duket si një zgjidhje e shpejtë e problemeve praktike, që përndryshe do të ishte e vështirë të zgjidheshin\", thotë Prelec.

Me \"rregullim territorial\", Prelec mendon konkretisht për veriun e Kosovës dhe Luginën e Preshevës, më saktësisht, një pjesë e saj. Ai saktëson se \"kjo nënkupton pjesën e banuar me shumicë serbe në Kosovë dhe pjesën e banuar me shumicë shqiptare në Serbi\", duke shtuar se ky është një rezultat i mundshëm. Por përsëriti se kjo është diçka për të cilën po spekulohet sot, por që do të jetë shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)