28 Mars 2024

Hoxhaj kërkoi mbështetjen e Arabise Saudite për njohje

Riad, 7 maj- Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar vizitën zyrtare në Arabinë Saudite.

Pas arritjes në Riad, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime me përfaqësues të Arabisë Saudite dhe diplomatë të shteteve të tjera, të akredituar në këtë mbretëri.

Gjatë takimeve, Ministri Hoxhaj ka vlerësuar lartë kontributin e kamotshëm të Arabisë Saudite për Kosovën.

“Arabia Saudite ka pasur marrëdhënie me Kosovën që nga vitet e 90-ta duke qenë ndër shtetet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës në gusht të 2009-tës dhe duke i hapur udhë vendosjes së marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve tona”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka vlerësuar se njohja nga Arabia Saudite llogaritet si një ndër njohjet më të rëndësishme për Kosovën, për shkak të ndikim të madh politik, fetar, ekonomik dhe lidhjeve të gjakut që ka me shtetet arabe.

“Ajo ka mbrojtur fuqishëm shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke paraqitur argumente të forta në favor të Kosovës. Ne kemi vlerësuar lartë rolin që ka pasur mbretëria e Arabisë Saudite në mbështetje të popullit të Kosovës dhe Republikës së Kosovës”, ka thënë Enver Hoxhaj.

Në ditën e parë të vizitës në Riad, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime të frytshme me diplomatë dhe përfaqësues të shteteve të Gjirit, të cilët i ka informuar për progresin e Kosovës dhe proceset që e presin në rrugën e konsolidimit dhe forcimit të shtetësisë.

Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e këtyre shteteve për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën, gjë që do të ndikonte në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit më të ri në Evropë.

Po ashtu, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, ka zhvilluar takime edhe me diplomatë dhe përfaqësues të lartë të shteteve anëtare të Ligës Arabe, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Ministri Hoxhaj ka vlerësuar lartë rolin e Ligës Arabe si një organizatë shumëpalëshe, në të cilën shtetet i hartojnë politikat e përbashkëta me interes të dyanshëm.

Gjatë takimeve, Hoxhaj i ka informuar përfaqësuesit dhe diplomatët e këtyre shteteve për shtetndërtimin, për progresin politik brenda Kosovës, për trendët e zhvillimit ekonomik si dhe për prioritet e politikës së jashtme dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gjatë ditës së sotshme, Ministri Hoxhaj, është takuar edhe me përfaqësues të shteteve anëtare të Konferencës Islamike, e cila përfshinë të gjitha shtetet myslimane në botë, numër i cili arrin në 57. 

Gjatë këtyre takimeve, Ministri Hoxhaj i ka informuar diplomatët për procesin e njohjeve të Republikës së Kosovës, për anëtarësimin e saj në institucione politike, financiare dhe kulturore, duke kërkuar nga ta që të kontribuojnë në njohjen e Kosovës nga shtetet islamike që nuk e kanë marrë ende një vendim të tillë.

“Pavarësia e Kosovës në tri vitet e fundit ka prodhuar paqe, stabilitet dhe siguri në rajon”, ka thënë Ministri Hoxhaj gjatë bisedave me përfaqësuesit e shteteve islamike, shumica e të cilave kanë përfaqësues dhe ambasadorë eminent në Arabinë Saudite për shkak të respektit të madh që gëzon ky shtet në botën islame dhe në politikën ndërkombëtare.

Nesër, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Riad, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princin Saud Al-Faisal.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)