23 Prill 2024

Hoxhaj: Idetë e Tadiqit kundër vlerave evropiane

Berlin, 12 qershor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, ka dhënë një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Hoxhaj i është përgjigjur interesimit të gazetarit Michael Martens për zhvillimet kryesore në dhe rreth Kosovës, e veçanërisht raporteve mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Në pyetjen e gazetarit rreth deklaratave të Presidentit serb, Boris Tadiq, se politikanët shqiptarë kanë qëllim afatgjatë “Shqipërinë e Madhe“, Hoxhaj ka thënë se një deklaratë e tillë nuk ka të bëjë aspak me realitetin.

“Ajo çka ai thotë është në kundërshtim me çdo gjë që simbolizon Evropën. Krijimi i shteteve monoetnike, lëvizja e kufijve, ndërrimi i territoreve, të gjitha këto janë shumë të rrezikshme. Kufijtë e Ballkanit qëndrojnë. Kosova është produkti i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ky fakt tani njihet nga 76 shtete anëtare të OKB-së”, ka thënë ai.

Rreth çështjes së veriut të Kosovës, Ministri i Jashtëm ka thënë se në kohën prej 2005 deri në 2007 nën udhëheqjen e ish-presidentit finlandez Marti Ahtisaari, në Vjenë u zhvilluan negociatat, esenca e të cilave ishte mbrojtja sa më e mirë e pakicave etnike në Kosovë. Rezultati apo zgjidhjet kosovare për integrimin e pakicave, sipas tij, kanë karakter modeli për të gjithë rajonin e Ballkanit.

“Në veri të Kosovës më shumë është çështje e sundimit të ligjit. Në këtë pjesë qysh gjatë kohës së administrimit nga institucionet e UNMIK-ut, u krijuan struktura ilegale të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Zgjidhja për veriun është tashmë e njohur dhe kjo është zbatimi i planit të Ahtisaarit. Kushtetuta e vendit duhet të zbatohet edhe në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë Enver Hoxhaj.

Sa i përket bllokadave që Serbia vazhdon t’i bëjë anëtarësimit të Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare, Ministri Hoxhaj ka theksuar se Serbia po përpiqet që ta izoloj, ta paralizoj zhvillimin dhe të dëmtoj sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga, para pak kohe mori pjesë në Samitin e Varshavës, ku ishte i pranishëm edhe Barack Obama, dhe në festën e përvjetorit të Italisë në Romë, Boris Tadiqi anuloi pjesëmarrjen e tij pikërisht për këtë. Një sjellje e tillë nuk flet shumë për një politikan që mbështetet në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka thënë Ministri Hoxhaj, në intervistën për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)