29 Mars 2024

Homologimi paraqet barrierë jo-tarifore, në kundërshtim me principet e MSA-së

Prishtinë, 28 qershor - Në seancën e jashtëzakonshme për heqjen e monopolit për homologimin e veturave, propozuesi i kësaj seance, deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, ka thënë që secila qeveri pasuese pas LDK-së, e ka bërë të pamundur shkëputjen e kësaj kontrate.

Gjeneza e homologimit sipas tij është Marrëveshja e Mirëkuptimit e nënshkruar më 22 shtator 2008, në mes të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit dhe kompanisë Eurolab, me qëllim të zbatimit të kërkesave ligjore për homologimin e automjeteve, si dhe zbatimit profesional të procedurave teknike sipas standardeve evropiane të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 2008/08 për homologimin e automjeteve dhe për implementimin e Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor.

 Marrëveshja sipas Zharkut është shumë e shkurtë, madje as nene nuk ka,por që bazohet në dy cështje.

Në njërën anë sipas tij Eurolab obligohet që të investoj dhe finalizoj të gjitha përgaditjet teknike ku përfshihen pajisjet teknike, sigurimi i hapësirës së nevojshme dhe stafit profesional të kualifikuar dhe trajnuar sipas standardeve të BE-së.

Në anen tjetër, Ministria i ka dhënë Eurolab-it të drejtën ekskluzive në Republikën e Kosovës që të kryej të gjitha shërbimet e homologimit.

Në përputhje me këtë Marrëveshje, Eurolab ka kryer investimet e duhura të cilat janë konfirmuar nga komisioni i MTPT i formuar për këtë qëllim, i cili edhe i ka propozuar ministrit që të lëshoj autorizimin.

Zharku ka theksuar se përderisa Marrëveshja nuk përcakton afatin e vlefshmërisë, kjo çështje është përcaktuar me Autorizimin e lëshuar me vlefshmëri 10 vjeçare, gjegjësisht nga 1 korriku 2009 deri më 1 korrik 2019. Për më tepër, autorizimi është zgjeruar edhe me shërbimin e “mbikëqyrjes profesionale të kontrollave teknike” që nuk ka qenë e përfshirë në Marrëveshjen e Mirëkuptimit, por që ka qenë e paraparë me nenin 14 të UA 2008/08, që institucioni i autorizuar për homologim kryen edhe mbikëqyrjen profesionale të kontrollave teknike.

“Marrëveshja e cila ofron ekskluzivitet më autoritet 10 vjeçar, secila qeveri pasuese ia ka bërë të pamundur ndaljen e saj. Qeveria Mustafa kishte marrë vendim që t’i ndërpresë monopolet, dhe i kemi dërguar shkresë zyrtare EuroLab në janar të vitit 2016. Euro Lab ka refuzuar duke thënë se do të dëmtoheshin për shkak të investimit të madh që kanë bërë”, tha ai.

Ish-ministri i Infrastrukturës, ka kritikuar pasardhësin e tij për qasjen ndaj Ligjit për Automjete.

"Këto ditë ministri Lekaj ka deklaruar se fajtor është ligji për automjete.  Unë pres që ministri të del të mbrojë praktikën e Qeverisë për vazhdimin monopolit e jo të merret me ligjin e miratuar para 2 vitesh”, tha Zharku.

“Ligji për automjete e hap dhe liberalizon tregun. Këtë e dëshmojnë disa nene të ligjit. Nuk është problem ligji per automjete, por kjo Qeveri që prodhon akte nënligjore në kundërshtim me ligjet në fuqi”, tha ai.

Zharku konsideron se me asnjë nen, Ligji për automjete në fuqi nuk i jep të drejtë ministrit që të kufizojë hyrjen e subjekteve të reja në këtë treg, duke krijuar kushte për vazhdimin e monopolit në këtë fushë.

E drejta e tij është vetëm të përcaktojë kushtet që duhet t’i plotësojnë subjektet për t’u autorizuar për homologim.

Kjo dispozitë, përpos që është në kundërshtim me Ligjin për automjete, është kundërshtuar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili me mendimin profesional të datës 22 dhjetor 2017, vëren se nenet 3.2, 6, 7, 20.2 dhe 20.3 bien ndesh meLigjin për mbrojtjen e konkurrencës, dhe i ka rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës që ta bëj plotësimin dhe ndryshimin e këtyre dispozitave deri sa udhëzimi ishte në fazën e draftit, si dhe ka sygjeruar liberalizimin e tregut të homologimit të automjeteve.

Po ashtu, edhe Zyra e BE-së në Kosovë më 13 mars 2018, me shkresë zyrtare ka njoftuar ministrin Lekaj, se dispozitat e trupëzuara në draft-udhëzimin administrativ cenojnë ligjin e konkurrencës në Kosoveë dhe në BE, duke shtuar se drafti i tillë do të abuzonte edhe më tutje monopolin ekzistues.

Për më tepër, homologimi i veturave të reja paraqet barrierë jo-tarifore që është në kundërshtim me principet themelore të MSA-së.

"Duke marrë parasysh që ministri Lekaj shpërfilli vërejtjet në draft-udhëzim, BE brengat e njëjta i përsëriti edhe në shkresën e datës 9 korrik 2018, duke shtuar se bartësi i monopolit ekzistues është konsultuar dhe përfshirë në hartimin e Udhëzimit Administrativ, kështu duke theksuar rëndësinë e evitimit të konfliktit të interesit.

"BE për këtë qëllim angazhoi edhe ekspertë të jashtëm të cilët me raportin e tyre konfirmuan se ekziston shkelje ligjore në regjistrimin e veturave të reja në Kosovë."

"Megjithatë, asnjë prej këtyre institucioneve nuk i bëri përshtypje dhe nuk e bindën ministrin Lekaj që të ndryshonte Udhëzimin Administrativ", ka nenvizuar Zharku.

Ai ka deklaurar se tanimë është e qartë se Udhëzimi Administrativ 2/2018, është në kundërshtim me Ligjin për automjete, si dhe Ligjin për mbrojtje të konkurrencës dhe praktikave më të mira në BE, me të cilin kufizohet konkurrenca në fushën e homologimit të automjeteve dhe cenohet MSA-ja, për të cilën aq shumë kanë punuar të gjitha institucionet tona.

Deputeti Zharku dha tri propozime të cilat sipas tij sot duhet ti ndjek Kuvendi i Kosovës.

“Ne propozojmë që në baze te kushtetutës dhe në bazë të rregullores së kuvendit, Të shfuqizohet Udhëzimi Administrativ, brenda dy muajve të hyj Udhëzimi Administrativ i ri në fuqi i hartuar në bazë te ligjit, dhe deri në fund te vitit 2019 të liberalizohet tregu”, përfundoi ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)