20 Prill 2024

Haradinaj: Italia ka luajtur rol të rëndësishëm në etapat e shtetndërtimit

Prishtinë, 18 shtator - “Në kohë krize, vajza e djem nga Italia e kanë ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj. Kjo ndihmë ka vazhduar edhe në kohë paqeje dhe Kosova është mirënjohëse gjithmonë”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me ministren e Mbrojtjes së Italisë, Elisabetta Trenta.
 
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar ministren Trenta për zhvillimet e fundit politike në vend, përmirësimin e situatës së sigurisë, ndërtimin e raporteve të mira me fqinjët, dhe për të arriturat e Kosovës në ndërtimin e një sistemi të mirë në sundimin e rendit dhe ligjit.

Duke vlerësuar rolin e madh të Italisë për progresin e Kosovës, kryeministri Haradinaj shprehu përkushtimin për bashkëpunim të mëtejmë me Italinë, duke kërkuar mbështetjen e ministres Trenta në proceset e rëndësishme për vendin, me theks të veçantë për tranzicionin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Italia ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Mbështetja e shtetit Italian është e nevojshme edhe tani në hapat që jemi duke ndërmarrë për krijimin e ushtrisë së Kosovës, procesin e integrimeve euro-atlantike të Kosovës, por edhe në anëtarësimin në INTERPOL dhe në organizatat tjera ndërkombëtare”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke theksuar gatishmërinë e Kosovës që të shërbejë krah ushtrive në botë.

“Duhet të jeni krenarë me ushtarët tuaj që i keni dërguar në Kosovë. Ata kanë shërbyer me profesionalizëm dhe dinjitet dhe i kanë dhënë imazhin më të mirë vendit tuaj. Kosova është e gatshme t’i bashkohet misionit të NATO-së në ofrimin e paqes në botë”, ka shtuar Kryeministri Haradinaj.

Ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Elisabetta Trenta, vlerësoi të arriturat në të gjitha fushat me rëndësi për vendin, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të Italisë në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Në takim të pranishëm ishin edhe ministri i Forcës së Sigurisë në Kosovë, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, Gjeneral Lejtënant, Rrahman Rama dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu mori pjesë edhe në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë.

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)