19 Prill 2024

Gratë në politikë, një e arritur e madhe për demokracinë

 Prishtinë, 8 mars - Ndikimi i rëndësishëm që gratë mund të kenë në proceset demokratike dhe qeverisje ishte tema e ligjëratës së organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas  nga Grupi Joformal i Grave Deputete (GJG) në bashkëpunim me Institutin Demokratik Kombëtar (NDI).

Ligjëruesja Kathy Gest, eksperte e komunikimit dhe Drejtore për Marrëdhënie me Publikun e NDI në Uashington DC, citoi udhëheqësen Madeleine K. Albright, Sekretaren e parë të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, e cila ka thënë se “Pjesëmarrja e grave në politikë rezulton me arritje të vërtetë në demokraci, përfshirë këtu përgjegjësinë ndaj nevojave të qytetarëve, bashkëpunim më të madh përtej kufijve partiakë dhe etnikë, dhe paqe më të qëndrueshme.”

Gest diskutoi gjithashtu për ndryshimet që gratë mund të sjellin në politikë dhe ofroi këshilla dhe disa nga mënyrat më të mira se si ato mund të komunikojnë idetë e tyre.

Në mandatin e ri për Kuvendin, gratë arritën të fitojnë 40 ulëse, numrin më të madh që është arritur ndonjëherë, krahasuar me numrin 37 nga mandati i kaluar. Në këtë mandat, tri gra janë emëruar ministre dhe dy zv. Kryeministre, gjërsa në mandatin e kaluar dy gra kanë qenë ministre dhe asnjë prej tyre zv. kryeministre.

Vitin e kaluar, përmes avokimit dhe lobimit dhe në bashkëpunim me shoqërinë civile, GJG arriti që të sigurojë aprovimin e Ligjit të ri të Punës së bashku me rekomandimet e grupit për pushimin e lehonisë. Sipas këtij ligji të ri, çdo grua e punësuar ka të drejtën e pushimit të lehonisë deri në 12 muaj. Gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë do të paguhen nga punëdhënësi 70 % të rrogës bazë. Në tre muajt në vijim, pushimi do të paguhet 50 % të pagës mesatare në Kosovë, dhe 3 muajt në vijim mund të mirren pushim pa pagesë.

Prioritetet e GJG për këtë vit janë ligji i ri për zgjedhjet dhe demokratizimi i brendshëm i partive politike për të ngritur pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje. “ Ne kemi ende shumë punë për të bërë pasiqë përfaqësimi i gruas në vendimmarrje është ende i ulët ”, tha Flora Brovina.

Në këtë ligjëratë ishin të pranishme deputetet e rizgjedhura dhe ato të zgjedhura për herë të parë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të mediave. Ligjëratën e moderoi  Donika Kadaj Bujupi, deputete e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e GJG.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)