25 Prill 2024

Gjyqësori është i privuar nga marrja e vendimeve të pavarura

Prishtinë, 17 dhjetor - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) vlerëson se në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare e që e monitorojnë punën e gjyqësorit në Kosovë, theksohet se ky institucion i rëndësisë së veçantë, i nënshtrohet presioneve kryesisht politike por edhe të grupeve të caktuara të interesit e që ndikojnë drejtpërdrejtë apo prodhojnë efekte anësore në marrjen e vendimeve.

Gjithashtu sipas KMDLNJ-se thuhet se për emërime të larta në këtë institucion, vendimin përfundimtar e ka politika prandaj kemi një cilësim se sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika.

Realisht, gjyqtarët, e të gjitha niveleve, në aspektin material janë të stimuluar mirë madje shumë më mirë se vendet e rajonit sikur që në aspektin e sigurisë qëndrojnë shumë më mirë se vendet e rajonit e që nënkupton se asnjë gjyqëtar në Kosovë, apo anëtarë i ngushtë i familjes nuk e ka pësuar për punën që e bëjnë, në aspektin profesional.

Megjithatë, KMDLNj mendon se gjyqësori, në përgjithësi, është i privuar nga marrja e vendimeve të pavarura, të drejta dhe të mbështetura në ligj për shkak se i nënshtrohet, sidomos në disa raste të veçanta të profilit të lartë, një presioni që, jo rrallë herë i përngjanë një linçimi apo pushkatimi publik të vet gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre.

"Ndërhyrja në formë të presionit të madh, sidomos në fazën e hetimeve apo gjykimit ka për pasojë zbatimin e standardeve të dyfishta që ka për qëllim përmbushjen e një formaliteti ligjor kurse, në anën tjetër bënë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut për persona të privuar nga liria duke ua mohuar një gjykim fer, të drejtë dhe të paanshëm, qoftë edhe në përmbushje të standardeve minimale." 

"Për zbatimin e standardeve të dyfishta që shumëfish diskriminojnë të privuarit nga liria janë dalluar gjykatat e UNMIK-ut dhe trashigimtari i tyre biologjik dhe anatomik, gjykatat e EULEX-it që e kanë ngritur zbatimin e standardeve të dyfishta në përsosmëri", thekson KMDLNJ.

Gjykatat vendore nuk kanë si t’i shpëtojnë ndikimit për faktin se, nga përzgjedhja, deri në përparim në karrierë, varen nga ata që i emërojnë apo që kanë përgjegjësi për qëndrueshmërinë e tyre.

Presioni mediatik që do të duhej të kishte rol informues dhe sensibilizues, jo rrallë herë ka ndikim në vendimmarrje sikur edhe presioni i shoqërisë civile që, me vetëdije apo pa vetëdije, e merr formën e ndikimit në vendimmarrje duke kontestuar apo kundërshtuar vendimin e gjykatës edhe para se të merr formën e prerë.

Në rastet e dhunës ndaj femrave e që në disa raste përfundojnë me fatalitet, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave, përmes protestave publike apo formave të tjera bëjnë presion gjatë hetimeve apo edhe në vendimmarrje, duke vënë në situatë jo të mirë, edhe hetuesit, prokurorinë ose edhe vet gjykatën.

Në rast të privimit nga liria të ndonjë aktivisti politikë për vepra të dënueshme sipas ligjeve në fuqi, përmes linçimit të hetuesve, prokurorëve apo gjykatësve sajohet një alibi se procesi montohet për qëllime politike kurse personat e përfshirë në proces (në të gjitha fazat), së bashku me familjarë, denoncohen publikisht dhe kërcënohen se ndaj tyre do të ndërmerren masa ligjore posa ta marrin pushtetin duke publikuar listën për arrestim, me fletarrest , sikur në  kohën e Perëndimit të Egër.

Si shkelje shumë të rëndë të të drejtave të njeriut ndaj personave të privuar nga liria KMDLNj e vlerëson përfoljen e familjarëve të të arrestuarve ndonëse me asgjë nuk janë të përfshirë në veprime inkriminuese.

Kjo praktikë duhet të ndërpritet dhe ndaj të atyre që e bëjnë këtë veprim duhet të ndërmerren masa ligjore, jo në mbrojtje të personave të arrestuar por në mbrojtje të privatësisë për anëtarë të familjeve të të arrestuarve e që nuk janë inkriminuar në vepra penale.

KMDLNj, në të gjitha raportet për të drejtat e personave të privuar nga liria ka kërkuar, në formë të rekomandimit që masa e arrestit me burg të zbatohet vetëm si masë e skajshme, vetëm kur shterren të gjitha masat tjera për faktin se në Kosovë, përkundër shumë rekomandimeve dhe praktikave të mira, masat alternative të dënimit zbatohen fare pak ose në shpërputhje me mundësitë reale që ekzistojnë tash.

KMDLNj vlerëson se zbatimi i standardeve të dyfishta e dëmtojnë shumë sistemin gjyqësorë në Kosovë dhe se janë prova më e mirë dhe më e pakundërshtueshme për ndikime politike dhe jopolitike në vendimmarrje të sistemit gjyqësorë. Për këtë po e ilustrojmë me dy raste të arrestimit që kanë ndoshur kohëve të fundit :

Kohë më parë është arrestuar një zyrtar i lartë i BQK-së (A. R.), me pompozitet të panevojshëm, nën dyshim të bazuar për falsifikim të diplomës së shkollës së mesme dhe të fakultetit.

Arrestimi i tij sipas KMDLNJ-se është përcjellë me një fushatë se: “ qenka vëlla i një mjeku alternativ, person shumë i njohur publik anipse familjari i tij nuk ka të bëjë asgjë me veprën penale  për të cilin dyshohet i arrestuari).

KMDLNJ konsideron se në këtë mënyrë bëhen përpjekje për degradim të personalitetit të mjekut alternativ H.R. dhe familjes së tij sikur që i vështirësohet pozicioni dhe mbrojtja e të arrestuarit sepse, të qenit familjar i një personi publik, ju bënë target që ndaj jush, përmes linçimit të bëhet presion edhe ndaj vendimmarrësve të gjyqësorit .

Në anën tjetër, përmes implikimit në një vepër penale me të cilën nuk ka fare lidhje të H. R. i dërgohet një porosi atyre që duhet të marrin vendime për vazhdimin e procedurës dhe masave që duhet të ndërmerren për të arrestuarin A. R. 

Prandaj, ndaj të arrestuarit A.R. nuk shqiptohet një masë alternative që do të ishte në përputhje me natyrën e veprës dhe rrezikut që paraqet për shoqërinë, por i shqiptohet masë e paraburgimit që i suspendon masat alternative.

Këtë rast, KMDLNj nuk e trajton nga aspekti ligjor apo përpjekje për të ndërhyrë në vendimmarrje por nga aspekti i të drejtave të njeriut, duke bërë krahasime me rastet e ngjashme .

Thuaja në të njëjtën kohë është arrestuar N . C., i dyshuar për posedim, transport dhe tregëti me mjete narkotike me ç’rast Policia e  Kosovës kishte konfiskuar afërsisht 115 kg. heroinë .

Për shkak të natyrës së punës dhe vendit ku punonte, në Byron e Sigurimeve të Kosovës, i arrestuari, pa asnjë argument  u vë në lidhje me G. Th., person me ndikim të madh politik për faktin se është vëlla i H.Th. është president i Kosovës. Përmes këtij implikimi të paargumentuar të G. Th. synohej diskreditimi personal dhe familjar i G.Th. dhe H. Th. për  shkak të posteve që mbajnë, pa ua dëshmuar me asnjë fakt përfshirjen e tyre në këtë veprim kriminal .

Në anën tjetër, për të arrestuarin N. C. Ishte një rrethanë lehtësuese sepse, pas mbajtjes, u lirua.

As në këtë rast KMDLNj nuk dëshiron të ndërhyjë në vendimmarrje të gjyqësorit mirëpo, përmes krahasimit të të dyja rasteve, e të tilla ka shumë në Kosovë, tërheq vëmendjen se linçimi publik i personave që mbajnë poste publike e që me asgjë nuk iu dëshmohet përfshirja në veprimtari kriminale, ndikon drejtpërdrejtë në vendimmarrje apo caktimin e masës për personat e privuar nga liria.

KMDLNj është kategorisht kundër linçimit publik të çdokujt, pavarësisht çfarë pozite mbanë dhe kërkon që çdo masë duhet të ndërmerret në përputhje me natyrën e veprës dhe rrezikut që paraqet për shoqëri, duke zbatuar masën e paraburgimit vetëm si masë të skajshme dhe duke zbatuar masat alternative e që nuk po zbatohen sa duhet.

Në këtë mënyrë do të kursehen mjete të konsiderueshme të Buxhetit të Kosovës sikur edhe do të përshpejtohej dhe thjeshtësohej procedura.

Standardet e dyfishta kanë qenë praktikë e ndërkombëtarëve që janë bërë, ose për përfitime materiale duke ua shitur pafajësinë atyre që kanë kryer vepra të rënda penale  përmes ndërmjetësimit të disa avokatëve të rënë nga morali profesional dhe njerëzorë dhe, së dyti, për të eliminuar politikisht të padëgjueshmit apo të papërshtatshmit.

KMDLNj vlerëson se sistemi gjyqësorë i Kosovës dhe jo vetë ai gjyqësorë, duhet të nxjerrin mësime nga pësimet profesionale në të kaluarën, duke vënë themelet e një drejtësie të shëndoshë profesionalisht dhe të pandikuar nga politika apo grupet e interesit. Në të kundërtën, me një procedurë të pëprshpejtuar duhet t’i nënshtrohet procesit të verifikimit i cili duket të jetë i pashmangshëm.

Nëse kjo praktikë vazhdohet edhe në të ardhmën, Kosova edhe më tutje do të jetë në top – listat ndërkombëtare për shkak të degradimit të sistemit gjyqësorë.

Kosova sipas KMDLNJ-se ka ligje jashtëzakonisht të mira për luftimin e dukurive të dëmshme për shoqërinë por efikasiteti dhe rezultatet  e kësaj lufte varen drejpërdrejtë nga kapaciteti profesional për zbatim të këtyre ligjeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)