26 Maj 2020

Gjykimi i Albin Kurtit shtyhet deri më 13 prill

Prishtinë, 2 mars 2010 -  Sot, gjykatësi kryesues i panelit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë vendosi që gjykimin e Albin Kurtit të shtyhej deri më 13 prill 2010. 

Arsyet e shtyrjes janë si vijon: Gjykata e Qarkut në Prishtinë nuk ka mundur të gjejë zëvendësimin për një anëtar të panelit që ishte i sëmurë, si dhe avokati mbrojtës Ramiz Krasniqi, i caktuar sipas detyrës zyrtare, nuk u paraqit në gjykatë, duke e shkelur me këtë rast detyrën e tij zyrtare.

Fatkeqësisht, kjo tregon dobësinë e vazhdueshme e cila duhet të adresohet brenda institucioneve për sundimin e ligjit nëse Kosova dëshiron t’i arrijë standardet evropiane. 

Gjykatësi kryesues ka vendosur që ta caktojë një avokat tjetër sipas detyrës zyrtare, Musa Dragusha për ta mbrojtur z. Albin Kurti.

"Sundimi i ligjit në çdo shoqëri bashkëkohore dhe demokratike bazohet në një parim kyç: që secili është i barabartë para ligjit. Askush nuk është sipër ligjit dhe çdo person i akuzuar për ndonjë krim e ka të drejtën e qartë dhe themelore për ta mbrojtur veten në gjykatë. Si çështje parimi, procesi gjyqësor i drejtë ka për qëllim të vërtetojë se a është kryer ndjekja penale në mënyrë të drejtë, pra të vërtetojë para një gjykate të pavarur dhe të paanshme nëse rasti ka peshën e mjaftueshme për ta dëshmuar fajësinë apo pafajësinë e ndonjë personi", thuhet ne njoftimin e EULEX-it.

Lënda e Kurtit është trashëguar nga UNMIK-u dhe është një lëndë normale gjyqësore e cila duhet të shqyrtohet si çdo lëndë tjetër. Kjo lëndë, thjesht nuk mund të injorohet nga gjyqësori. Lënda e z. Kurti është një prej lëndëve të fundit gjyqësore në nivel të Gjykatës së Qarkut që është trashëguar prej UNMIK-ut.  


Nderkaq sipas Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 21 shkurt, kryesuesi i Panelit Gjykues të EULEX-it, Ferdinando Buatier de Mongeot, që padrejtësisht po e përndjek Albinin, pat thënë të nesërmen e dua Albinin në këtë gjykatë. Kurse ajo që ndodhi të nesërmen qe gjymtimi i vetë Panelit të EULEX-it, pra tërheqja me vend e Fllanza Kadiut nga ky Panel. 

"Kanë kaluar dhjetë ditë që prej kësaj thirrjeje. Albini është këtu me ne. Ai nuk ka pasur kohë të merret me kërcënime të tilla që dalin nga goja e dikujt që pretendon të ndajë drejtësi. Albini ka vazhduar aktivitetin e tij të zakonshëm me takime e tubime me qytetarë, ristrukturim dhe shtrirje të VETËVENDOSJE!-s nëpër Kosovë." 

Populli po reagon dhe është ngritur kundër kësaj fushatë persekutuese të EULEX-it. Nuk po reagon vetëm populli i Kosovës, por kombi shqiptar në përgjithësi. 

Shoqëria civile e Kosovës është bashkuar për kundërshtimin e këtij veprimi të EULEX-it që s’ka lidhje me drejtësi. Këshilli kundër Procesit ndaj Albin Kurtit, që përfshin 65 organizata e shoqata, ka arritur mbledhjen e mbi 125,000 nënshkrimeve të qytetarëve të Kosovës, të cilët thërrasin për mbylljen e këtij rasti të turpshëm. 

Një peticion të ndarë e kanë nënshkruar edhe dhjetëra intelektualë. Peticion kundër këtij rasti kanë nënshkruar edhe intelektualët evropianë. 

Deri sot kanë reaguar edhe shumë organizata e shoqata të ndryshme prej ngado ku jetojnë shqiptarët. 

Edhe avokatët e Kosovës, por edhe vetë gjykatësit, janë të një  qëndrimi për hedhjen poshtë të aktakuzave absurde të  UNMIK-ut, të cilat i ka riaktualizuar EULEX-i. 

Shumica e policëve të Kosovës po ashtu janë kundër arrestimit të Albinit, dhe ndjehen të poshtëruar me urdhrat e EULEX-it. Në kohën kur ata janë të etur për arrestimin e njerëzve të korruptuar, apo të strukturave paralele, atyre u jepet urdhër për arrestimin e Albin Kurtit. 

Të gjithë  janë për mbylljen e këtij rasti, të gjithë përveç EULEX-it, i cili po e vazhdon përndjekjen tonë edhe me heshtjen e politikanëve të Kosovës. 

"Dhe përderisa EULEX-i po e vazhdon procesin e dikurshëm të UNMIK-ut kundër Albin Kurtit, vetë UNMIK-u po ia çel EULEX-it rrugën e padrejtësisë, pasi që e ka mbyllur rastin e vrasësve rumunë në Panelin Këshillues të të Drejtave të Njeriut. UNMIK-u po e mbyll drejtësinë, EULEX- po e hap padrejtësinë."

Ne nuk e japim Albinin. Ai nuk do të shkojë në gjykatë për t’iu përgjigjur këtij persekutimi skandaloz. Edhe po të donte të shkonte, ne nuk do ta lejonim atë. Edhe po të donim ne, nuk do të na lejonte populli. Albini i përket Kosovës, dhe i duhet asaj. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Maj 2020 - Komisioni për Integrim Evropian diskuton lidhur me përmbushjen e obligimeve të Kosovës, në procesin e liberalizimit të vizave dhe shqyrton raportin e Ministrisë së Integrimit Evropian lidhur me financimin e Kosovës nga BE-ja, në luftimin e COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, N303, ora 11:00)  

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me Sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi. (Ndërtesa e Kuvendit, N302, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike shqyrton Raportin Vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Presidenti i vendit, Hashim Thaçi,  do ta vizitojë Oden Ekonomike të Kosovës. (Lokalet e OEK-ut, ora 11:30)

 - Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, merr pjesë në ceremoninë e zbulimit të lapidarit të dëshmorit Luan Qerimaj dhe 4 dëshmorëve tjerë, në Gllogjan. (Te vendi i quajtur Lejthia, Gllogjan, Deçan, ora 11:30)

- Instituti Demokraci për Zhvillim Sfidat dhe nevojat e nënave vetë-ushqyese në kohë (pas)pandemie”  (Përmes platformës online, Google Meet, ora 17:00 - https://forms.gle/HAxFHsHEScpDdMx99)