17 Janar 2020

Gjermania premton ndihmë për Kosovën edhe në të ardhmen

Prishtinë,  11 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës,  Jakup Krasniqi, priti sot në një takim sekretarin e shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Thomas Kossendey, i cili ishte i shoqëruar nga gjashtë anëtarë të Bundestagut gjerman, si dhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Hans-Dieter Steinbach dhe gjenerali i  KFOR-it Markus Bentler, ku u bisedua për zhvillime aktuale në Kosovë.

Kryeparlamentari Krasniqi në prononcimin e tij para mediave, tha se në këtë takim u bisedua edhe për strategjinë për veriun, si një dokument i rëndësishëm i Qeverisë së Kosovës dhe i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, për shtrirjen e rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të Kosovës.

Krasniqi tha se e ka njoftuar delegacionin gjerman me punën dhe angazhimet e Kuvendit të Kosovës në miratimin e ligjeve, sidomos të atyre që kanë dalë nga Pakoja e Ahtisaarit. Kreu i Kuvendit tha se e ka ngritur edhe çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ndërkaq ka folur edhe për pengesat dhe vështirësitë me të cilat përballet Kosova në aspektin e zhvillimit ekonomik, veçanërisht në sferën e punësimit.

“Ne si parlament kemi punuar dhe kemi bërë një infrastrukturë ligjore që garanton investime dhe zhvillim ekonomik në Kosovë”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi, duke e falënderuar zyrtarin e lartë të shtetit gjerman për të gjithë mbështetjen politike, ekonomike dhe në sferën e sigurisë, që Gjermania ka dhënë për Kosovën gjatë gjithë këtyre viteve.

Sekretari i shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Thomas Kossendey, tha se ndihma gjermane për Kosovën ka qenë e arsyeshme, dhe se Kosova ka bërë bërë mrekullira.

Duke premtuar bashkëpunim të ngushtë ndërmjet parlamenteve të dy vendeve, Kossendey konfirmoi ndihmën e shtetit të tij për Kosovën edhe në të ardhmen. Ai tha se institucionet e Kosovës, përmes Forcës së Sigurisë dhe Policisë, kanë krijuar edhe kushtet që të marrin sa më tepër përgjegjësi në duart e tyre, duke treguar për përparimet që janë bërë ndërkohë.

Kossendey tha se nëse kjo kontribuon që Gjermania dalëngadalë të reduktojë numrin e ushtarëve të saj në Kosovë, nuk do të thotë që përfundon bashkëpunimi me Kosovën.

“Ne do ta krijojmë një tejkalim konstruktiv të përgjegjësive të sigurisë nga forcat tona në tuajat. Kështu që në këtë mënyrë të krijojmë një rrugë tjetër të bashkëpunimit ndërmjet nesh. Dhe vërtet kam një respekt të madh se me çfarë serioziteti i merrni sugjerimet nga raporti zhvillimor i BE-së, dhe çfarë mësimi merrni nga ky raport”, theksoi Thomas Kossendey.

Ai foli edhe për bisedimet rreth riatdhesimit të qytetarëve të Kosovës, duke vlerësuar se ky është një parakusht kryesor që do të përcaktojë rrugën e mëtejshme të liberalizimit të vizave. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 janar 2020

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi mbahet “Konferenca vjetore e prokurorëve”, për vitin 2019. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës shënon 20 vjetorin e themelimit të saj në të cilën do të marrin pjesë personalitete të ndryshme nga institucionet e larta vendore dhe atyre ndërkombëtare. (Emerald Hotel, ora 10:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë në shënimin e njëzet vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës. (Hoteli Emerald, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Drenasit. (Shtëpia e Kulturës në Drenas, ora 11:00)

-  Lëvizja FOL organizon konferencë për media gjatë së cilës do të prezantohen gjetjet nga monitorimi i shumave të paguara nga komunat që dalin nga vendimet gjyqësore. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e nënshkrimit të Memorandum Mirëkuptimit për zbatimin e projektit “Skema e Praktikes me të diplomuarit nga fakultetet teknike”. (Zyret kryesore të GIZ Kosova, rr. Anton Çetta, Nr.1, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Skenderajt. (Qendra e Kompetencës në Skenderaj. ora 14:00)

- Nën përkujdesjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri mbahet “Akademia e Flakës” që e shënon zyrtarisht hapjen e manifestimit “Flaka e Janarit 2020”, i cili sivjet i kushtohet kryengritësit të Anamoravës, Abdullah Tahiri. (Teatri i qytetit te Gjilanit, ora 16:00)

- Për të përmbyllur projektin e EUNIC Cluster Prishtina “Promovimi i turizmit  në Prishtinë”  Ambasada Franceze dhe EUNIC Cluster Prishtina në bashkëpunim me komunën e Prishtinës organizojnë konferencën “Promovimi i turizmit kulturor në Prishtinë”. (Shtëpia e Evropës, ora 16:00)

- Komuna e Gjilanit organizon hapjen e ekspozitës kolektive e arteve pamore - Peneli i Flakës. (Galeria e Qytetit të Gjilanit, ora 17:30)

 

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pret në takim ish shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin William Walker. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 19:30)